Connect with us

Kosova

Fenomeni ‘Wanna be’ i Kurtit dhe si mund të kërkojë dikush më shumë?

Situata në Kosovë është bërë jashtëzakonisht serioze dhe shqetësuese, me qeverinë dhe Kryeministrin Albin Kurti, i cili, duket se nuk ka një sens të qartë për të kuptuar situatën gjeopolitike dhe ka një dëshirë të duket interesant në procesin e dialogut duke kundërshtuar tre nënshkrimet e “perandorive” politike evropiane, duke e ditur fundin e dialogut.

Fenomeni “Wanna be” te një politikan ka një referencë të keqe sepse iu takon individëve politikanë si Albin Kurti që përpiqen të imitojnë apo të bëhen si politikanë të suksesshëm apo të njohur më shume se sa dija dhe sensi iu jep fuqisë së tyre.

Ata e bëjnë shpesh këtë veprim duke ditur që s’e kanë as fuqinë as njohjen, përvojën, kualifikimin, dijen dhe aftësinë për të qenë lider i madh.

Liderët “Wanna be” si Albini ndjekin sjelljet, stilin e politikanëve që admirojnë duke humbur sensin për kohën, vendin dhe realitetin. Krejt kjo bëhet për t’u admiruar në publik.

Me këtë mungesë sensi politik të qeverisë, rrezikon që bashkësia ndërkombëtare të heqë dorë nga mbrojtja e interesave të Kosovës duke e lënë atë në margjinat evropiane.

Bashkësia ndërkombëtare ka arritur të dërgojë në Hagë liderët e Kosovës, dhe ka bërë të pamundurën që t’i japë Albin Kurtit hapësirën politike që qeveria e tanishme pa pengesë dhe pa opozitë të zgjidh problemet e mbetura.

Gjermania, si udhëheqëse e gjithë këtij procesi, bashkë me ndihmën e administratës amerikane u dukën aq të paaftë sa të mos jenë në gjendje të zgjidhin çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASMM).

Për më tepër, Kosova po izolohet gjithnjë e më shumë nga çdo institucion ndërkombëtar.

Gjermania, e cila ka qenë sponsorizuesi kryesor i Albin Kurtit, me pafuqinë e saj ndaj tij, e ka vendosur Kosovën në pozicionin më të keq të mundshëm qe nga viti 1999. Po ashtu Meloni, Macron dhe Scholz kanë vendosur firmën në letrën ku garantojnë që draft statuti s’ka lidhje me Republika Srpska apo çfarëdo që mund ta defunksionalizoje Kosovën.

Të verbuar nga lufta e brendshme, pushteti dhe opozita, Kosovën e marrin si të mirëqenë. Partnerët e Kosovës po ashtu janë shumë të zhgënjyer me mungesën e një qëndrimi të qartë nga opozita.

Në takime të mbyllura ata shprehin gatishmëri që ta zbatojnë Asociacionin, sipas propozimit evropian, ndërkaq në publik përdorin fjalor toksik dhe e sulmojnë statutin e propozuar.

Partnerët e Kosovës presin nga opozita qëndrim të qartë nëse duhet dërguar në Gjykatë Kushtetuese statutin e propozuar nga BE-ja.

Mungesa e një qëndrimi të qartë, sipas partnerëve të Kosovës, e ul kredibilitetin edhe të opozitës. Sipas tyre ndonjëherë krijohet përshtypja thuajse në Kosovë nuk ka fara partnerë kredibil.

Në një intervistë eskluzive për Albanian Post, një diplomat i lartë theksoi se Komuniteti Perëndimor nuk pret që Kosova të nxjerrë një dokument ligjor për krijimin e një asociacioni të tillë, siç sugjeron Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe sqaroi se komunat e Kosovës, përfshirë ato me shumicë serbe, janë të lira të asociohen dhe qeveria ose çdo entitet tjetër nuk mund të pengojë ushtrimin e këtij të drejti të garantuar ligjërisht.

Diplomati theksoi se të 27 anëtarët e BE-së, plus SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, bien dakord që Statuti i Asociacionit, i propozuar nga QUINT, mundëson qe komunat të ushtrojnë kompetenca pa cenuar kornizën kushtetuese të Kosovës. Ai shpjegoi se Asociacioni do të krijohet në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjin e Kosovës, duke mbikëqyrur zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin dhe zhvillimin urban dhe rural……………

Advertisement