Aktualitet
“Festimi i ringjalljes së Krishtit!” Besimtarët ortodoksë e katolikë kremtojnë sot Pashkët

Besimtarët e katolikë dhe ortodoksë në mbarë vendin kremtuan festën e Pashkës me meshat që u mbajtën në të gjitha kishat ortodokse dhe ato katolike.
Në kryeqytet, mesha për besimtarët katolikë u mbajtën në Katedralen e “Shën Palit” me peshkopi Arjan Dodaj i cili udhëhoqi meshën duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve me disa nga fjalët e shenjta të kësaj vigjiljeje të Pashkëve. Në fjalën e tij, peshkopi Dodaj tha se kjo vigjilje është lutje tek Varri i Krishtit. Imzot Arjan Dodaj tha se nga druri i kryqit varet fati i botës. Imzot Dodaj tha se kjo vigjilje e madhe është një meshë që po këndohet në të gjitha anët e botës.
“Krishti nuk bën dallime. Kjo është arsyeja pse ne do të përfshihemi në misterin e Zotit. Druri i kryqit është ai nga i cili varet fati i botës. Kisha ka kënduar në skajet më të larta të botës. Këtë besojmë ne. Shpirtërisht jemi të pranishëm në çdo cep të botës”, tha peshkopi Arjan Dodaj.
Kremtimi u bë edhe në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës ku mesha u drejtua nga Krypeshkopi Joan, i cili dha mesazh shprese.
“Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim. Kemi sigurinë se dashuria e Tij është më e fortë se urrejtja dhe se shpresa jonë në Krishtin është më e fortë se dëshpërimi. Ata që shpresojnë te Zoti do të ripërtërijnë forcën e tyre. Nëse do të ndizet drita e ngjalljes, edhe marrëdhëniet mes njerëzve do të ndriçohen. Sakrificat janë të domosdoshme për shërimin tonë shpirtëror”, tha Kryepeshkopi Joan.
Pashkët janë festimi i ringjalljes së Krishtit pas kryqëzimit të tij. Kujtimi i ringjalljes së Krishtit është një mënyrë për të ripërtëritur shpresën e përditshme të fitores mbi mëkatin. Kjo festë është ndër më të rëndësishmet të besimtarëve të krishterë. Festimi i fundit i Pashkëve në të njëjtën ditë ka qenë në vitin 2017, ndërsa tjetri pritet të jetë më 16 Prill 2028.

