Aktualitet
Fevziu kundër burgosjes së Metës: Mund të na kushtojë miliona, të gjykohet i lirë…
Blendi Fevziu ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për arrestimin e dhunshëm të ish Presidentit, Meta.
Fevziu e kritikoi arrestimin, duke e quajtur të papërshtatshëm për një ish kryetar shteti dhe një person që nuk paraqiste rrezikshmëri.
Ai gjithashtu deklaroi se Meta nuk ka pse të qëndrojë i burgosur, sepse do të na kushtojë shtrenjtë nëse del i pafajshëm në fund të gjykimit, por ai mund të hetohet dhe gjykohet në gjendje të lirë.
“Për dosjen e Metës nuk them dot gjë sepse nuk e njoh në brendësi. Lexova atë që ka çuar prokuroria në gjykatë për të kuptuar dicka. Ajo që më ka bërë përshtypje dhe mendoj se ishte shfaqje që duhej evituar ishte arrestimi i tij. Ka një problem, nëse hyn në rrjetet sociale, ka shumë njerëz, shumica emigrantë, qe befas shpërthejnë me komente “mirë ja bënë”, ta “kishin tërhequr zvarrë”. Jam habitur, nga njerëz që jetojnë në perëndim të kenë këtë.
E para, nuk i hyj procesin, nuk e gjykojmë dot dosjen. Arrestimi i Metës në shfaqje force në një nga zonat me pubike, ishte i panevojshëm dhe jo dinjitoz, jo për Metën si ish President, por për çdo qytetar. Skena të tilla i takojnë kriminelëve dhe banditëve që përbëjnë rrezik, nuk janë dinjitoze për asnjë qytetar.
E treta, mendoj se klasa politike duhet të përgjigjet, por bëhet përmes dokumentimit të problemeve dhe jo detyrimisht të jenë në burg.
E dini sa paguajmë për ditët e burgut kur dalin të pafajshëm personat? Kemi modelin e Tahirit që u ndoq në gjendje të lirë, ndejti dhe pastaj u dënua vajti në burg. Kemi rastin e Salianjit. Nëse ai do të arrestohej në 2018, do të bënte 8 vjet proces dhe do të dënohej me një vit, do ti paguanim minimalisht 60 euro dita. Për çdo njeri, jo vetëm një politikan.
Kur nuk përbën rrezikshmëri, e gjykon dhe pastaj jepet vendimi.
SPAK argumenton se mund të përbëjë rrezikshmëri, por unë mendoj se njerëzit duhet të gjykohen në liri dhe pastaj nëse është fajtor bën burgun.
Po marr një person që arrestohet në vitin 2024. Gjyqi mund të zgjasë 4 vite. Nëse e mbajmë kaq vite, shpenzojmë mbi 60 euro dita. Pastaj do ti paguash edhe ditët e dëmshpërblimit.
Edhe gjykimet duhet të jenë pak më të shpejta”, tha Fevziu.