Aktualitet
Fikja e inceneratorit rrit ‘malin’ me plehra në Elbasan
Në prill të 2017-ës, kur nisi për herë të parë puna në inceneratorin e Elbasanit, qeveria mburrej se impianti do të shkulte ‘kancerin’ mjedisor duke prodhuar energji nga plehrat. Gjashtë vite më pas, Elbasani ndodhet në prag të një katastrofe mjedisore sepse inceneratori nuk punon, pavarësisht se harxhon miliona lekë. Edhe prodhimi i energjisë së gjelbër i ngjan një ëndërre të largët. Prej muajit dhjetor impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan ka kaluar në remontin e rradhës. Mbetjet e bashkive të qarkut që po grumbullohen pranë landfillit po lartësojnë malin e plehrave të patrajtuara. Për ekspertët e mjedisit situata është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Në mars të vitit 2015, në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan nisi puna për ndërtimin e impiantit të parë të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri.
Sipas qeverisë inceneratori do t’i jepte zgjidhje mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve dhe do të prodhonte energji të gjelbër përmes trajtimit teknologjik të tyre.
“Është një impiant që vendoset për herë të parë në vendin tonë, por që me këtë vendosje përbën edhe themelin për të transformuar rrënjësisht të gjitha marrëdhëniet me mjedisin në hapin e tyre të parë, marrëdhënia me mbeturinat, me plehrat që 20 e kusur vite e mbyten Shqipërinë, dolën jashtë çdo kontrolli dhe që ne kemi vendosur t’i kthejmë nga një burim ndotjeje dhe kanceri në një burim energjie”, shprehej kryeministri Edi Rama, në nisje të punimeve për impiantin që parashikohej se do të prodhonte rreth 17 250 MËh energji në vit kur të vihej në punë.
Dy vite më vonë, kryeministri bashkë me disa zyrtarë të tjerë të lartë u rikthye në Elbasan për të përuruar fillimin e punës së impiantit.
Mesditën e 18 prillit 2017, kreu i qeverisë mes qindra pjesëmarrësve inaguroi inceneratorin e Elbasanit – të parën vepër të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri.
“Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie.”, theksonte kryeministri gjatë ceremonisë përuruese.
Gjashtë vite më vonë…
Inceneratori i Elbasanit i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro dhe është më i vogli mes tre impianteve të planifikuara. Aktualisht, ky impiant është i vetmi që ka përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, që po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Pavarësisht propagandës për teknologjinë dhe zgjidhjen që do të ofronte në përpunimin e mbetjeve, në këto gjashtë vite impianti nuk ka dhënë rezultatet e premtuara.
Të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se inceneratori është ndezur me hope duke zhbërë premimin madhor për rilindjen mjedisore të Elbasanit që ka rritur malin me mbetje të patrajtuara.
“Në vitin 2023 ndezja e Impiantit është realizuar në muajin Prill dhe proçesi i fikjes është realizuar në Dhjetor të vitit 2023. Aktualisht Impianti është në remont.”, i tha Faktoje kompania publike Eco-Elb që administron inceneratorin prej dhjetorit të vitit 2021 (përmes një kontrate qiraje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.)
Prej 21 dhjetorit të vitit të kaluar inceneratori i Elbasanit fiku turbinat dhe kaloi përsëri në remont, por kompania EcoElb nuk na dha asnjë shpjegim se çfarë e shkaktoi defektin dhe sa kushton riparimi i tij. Po ashtu, pa përgjigje mbetën edhe pyetjet se kur do të vihej në punë inceneratori dhe çfarë do të bëhet me malin e mbetjeve të patrajtuara në landfill kur të rindizen turbinat.
Mal me mbetje buzë Shkumbinit
Prej katër muajsh të gjitha mbetjet e bashkive të qarkut Elbasan që po depozitohen në landfill nuk po trajtohen, duke krijuar një mal me plehra që po rrezikojnë një krize të re mjedisi në Elbasan.
“Sot për sot, atje ndotja hidhet në lumin Shkumbin dhe shkon deri në detin Adriatik sepse gjithë mbetjet, rrjedhjet, shkojnë në lum sepse s’kanë asnjë mbrojtje. Pa asnjë lloj trajtimi paraprak, gropat janë mbushur dhe janë kthyer në male.”, argumenton për Faktoje Ahmet Mehmeti, ekspert i ccështjeve mjedisore.
“Një gropë e zezë financiare që u kthye në një mal të zi që është vetëm burim të këqijash.”, vijon më tej ai, duke shtuar se malet me plehra janë rrezik potencial për shpërthime zjarresh, me apo pa dashje.
Për biologun Olsi Nika situata e krijuar me mbetjet në Elbasan është një “Emergjencë ekologjike”.
“Do bëhën male të tëra me mbetje, nuk do të digjen për 1001 arsye (jo nën hetim, jo korrupsioni, jo defekt, jo avari). Nuk do digjen sepse aty nuk është menduar kurrë për një proces incenerimi, aty është menduar për skemën që ka dalë nëpër media. Dhe atëherë do të bëhet emergjencë e vërtetë ekologjike.”, paralajmëron Nika nga Eco Albania.
Vitin e kaluar, impianti i Elbasanit ka pranuar nga Bashkitë e Qarkut një sasi mesatare mujore mbetjesh prej 3 936 ton në muaj, apo 47 mijë ton me mbetje.
“Sasia mesatare ditore e mbetjeve që mbërrin në Impiant është 140 ton në ditë dhe kur Impianti është në funksion incenerohet një sasi mesatare ditore e mbetjeve prej 90 ton në ditë.”, bën të ditur kompania Eco-Elb që administron inceneratorin.
Energjia e gjelbër, një ëndërr në sirtar
Qeveria premtonte se kur inceneratori i Elbasanit të vihej në punë, nga përpunimi i mbetjeve do të prodhohej rreth 17 250 MWh energji në vit. Por të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se sasia e energjisë së prodhuar nga inceneratori i Elbasanit në këto vite rezulton larg premtimit publik.
“Zëvendësuan riciklimin me gënjeshtrën e prodhimit të energjisë. Pra merren fondet, por puna s’bëhet duke shkaktuar dëm shumëfish, si financiar si mjedisor.”, thotë eksperti i mjedisit Ahmet Mehmeti.
Enti Rregullator i Energjisë bën të ditur për Faktoje se vitin e kaluar centrali prodhues i përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan nuk ka prodhuar energji elektrike.
“Nga raportimet e OSSH sha dhe FTL sha/ OSHEE Group sha deri më tani në ERE, rezulton se Centrali prodhues i përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan i shoqërisë “ECO – ELB” sh.a për vitin 2023 rezulton se nuk ka lëvruar energji elektrike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.”, pohon ERE.
Ndërsa gjatë vitit 2022, inceneratori ka lëvruar 6,792 MWh energji elektrike, sasi kjo që nuk përputhet me atë që deklaron kompania Eco-Elb që administron inceneratorin.
“Sasia e energjisë së prodhuar përgjatë vitit 2022, është 75,9 MWh.”, i tha Eco-Elb Faktojes.
Bashkëjetesë me inceneratorin …
Pranë impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan jetojnë dhjetra familje. Biseda me disa prej tyre është e vështirë. Janë të shqetësuar por njëkohësisht të frikësuar për t’i ndarë hallet e përditshme me median.
“Si i ndezur, si i fikur për ne situata është si mos më keq. Në verë i mbyllim dritaret sepse era e plehrave bëhet e padurueshme.”, shprehet një banore e zonës, teksa drejton me gisht malin me plehra që e ka përballe me shtëpinë.
I vetmi që pranoi të fliste ishte kryeplaku i zonës. Jashar Muçin e takuam teksa punonte tokën përpara shtëpisë. Pensionisti na tregon se bashkëjetesa me inceneratorin bëhet e vështirë kur impianti është jashtë funksionit.
“Kur impianti është i ndezur nuk kemi ndonjë problem, është pastër. Por tani është jashtë funksioni dhe shihe vet.”, thotë ai teksa biseda na ndërpritet nga një makinë me mbetje që po shkonte drejt landfillit.
“E shikon këtë makinë që po kalon?! Këtu nuk pushojnë makinat e plehrave, ditë e natë. Vijnë nga i gjithë qarku.”, vijon më tej Muçi.
Jashari i mban mend mirë premtimet e qeverisë kur nisi puna për impiantin.
“Do rritej punësimi në zonë, do shpëtonim nga plehrat, do prodhohej energji nga e cila do ngroheshim ne dhe do bënim sera… eh sa gjera do bëheshin po s’i shohim…”, shpotit ai në fund të bisedës. /FAKTOJE.AL