Shkrime
Filmi Rilindas: Drejtorë pa bythë të Bashkive, shporruni pa gëk-mëk, si fllad korriku pa bërë zë

Nga Agim Xhafka
Këto ditë u shfaq filmi rilindas: “Drejtorë të të gjithë bashkive: Shporruni!” E pa gëk e mëk, pa gjys fjale një hordhi njerëzish që paguhen nga taksat, që marrin rroga të majme, që kanë dhe shoferë, vetura dhe të tjera e të tjera dorëzuan çelësat. E me njëri-tjetrin zëmekur bëjnë pyetjen pa përgjigje: Ore, po pse na hoqi? Ç’i bëmë? Sa herë na thoshin firmosni ne vëp firmën, sa herë na thoshin gjobisni ne vëp gjobën! Ç’patën pra me ne?
U mbush java që inceniratori i Ramës i futi te furra dhe i dogji qindra drejtorë. Si të qenë ashkla drurësh. Si bajga të thata. Një zjarr bubulak, as hiri nuk u ngeli.
Populli më nuk tronditet e as çuditet. Ka mbi 80 vite që sheh të njëjtin film. Rritet varfëria fap shkon në burg një ministër, vidhet një copë atdhe fap bëhen ndërrime komisarësh.
S’ka ujë Fierza fap krisin zjarret pyjeve.
Ndaj dorëhiqet drejtori i Dibrës se shezlongët në Himarë nuk paguajnë kuponë. Dorëhiqet drejtori i Belshit se nuk ka më belushka në restorantet e Pogradecit.
Drejtorët shqiptarë treguan se janë pa bythë. Term i përdorur për njerëz pa karakter. Frikacakë nga që janë vetë hajdutë, ose nga që atë post nuk e kanë merituar. Ua kanë dhuruar. Ikën si tufë bagëtish. I vuri para çobani. As blegërima nuk guxuan të lëshojnë.
Rama rri para tastierës së kompjuterit. I vendos në ekran gjithë drejtorët e Shqipërisë dhe sa bëhet gati të shtypë “Delete” i luten po vetë drejtorët:
-Mos e lodh gishtin o komandant, ikim vetë ne. Ikim pa zhurmë, pa bujë, pa fjalë. Ikim si një fllad ere në këtë zhegun e verës…

