Kosova
Fiton Vuçiç? Rutte ia bën të qartë Osmanit: Dialogu me Serbinë, e vetmja mënyrë…

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, tha në Prishtinë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.
“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha Rutte.
Sipas tij, normalizimi sjell më shumë stabilitet dhe siguri për mbarë rajonin.
Në konferencën e përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Rutte deklaroi se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor varet nga të gjitha palët, duke zgjedhur “diplomacinë në vend të dhunës”.
“Zgjidhja për paqe afatgjatë është politike”, tha shefi i NATO-s.
Gjatë vizitës në Prishtinë, shefi i NATO-s do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Rutte ka thënë në një intervistë për Al Jazeera Balkans një ditë më parë se, Kosova është shtet shumë me rëndësi dhe që NATO-ja ka prezencë të konsiderueshme përmes KFOR-it.
“Ka pasur zgjedhje, do të shohim se si do të formohet Qeveria e re, por kjo është pjesë e procesit demokratik. Nuk ka gjë të keqe”, ka thënë Rutte, duke shtuar se aleanca bën përpjekje të vazhdueshme që ky shtet të jetë në formën e vet më të mirë.
Ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se mbështet deklaratën e bërë një ditë më herët në Bosnje nga Rutte se në rajon nuk duhet të ketë vakume të sigurisë, sepse sipas saj, “historia ka dëshmuar se ato vakume shpesh janë keqpërdorur nga faktorët malinj”.
Osmani po ashtu foli edhe për Serbinë, të cilën e akuzojë se po minon “përpjekjet për paqe dhe stabilitet”. Me ndihmën e Rusisë dhe faktorëve të tjerë, presidentja kosovare, Beogradi po synon ta destabilizojë Kosovën.
Në këtë drejtim ajo përmendi sulmet e ndodhura viteve të fundit në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023.
“Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është garanci vetëm për sigurinë tonë kundër çfarëdolloj përpjekje për cenimin e paqes dhe stabilitetit për të cilët të gjithë së bashku kemi punuar dhe sakrifikuar shumë gjatë”, tha Osmani.
Sipas saj, mungesa e përgjegjësisë për këto sulme, për të cilën Osmani fajësoi Serbinë, ka inkurajuar Beogradin që “të vazhdojë me sulme nëpërmjet strukturave të tij paramilitare”.
“Prandaj është e rëndësishme që bashkërisht ta fuqizojmë prezencën edhe të personelit edhe të mjeteve për ta mbrojtur kufirin në mënyrë që të parandalohet si hyrja e grupeve terroriste, ashtu edhe e armatimit të tyre të cilët kanë për qëllimin krijimin e konflikteve në rajonin tonë. Ashtu siç e ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump, politika e paqes përmes fuqisë është ajo që do të kuptohet më së miri në këtë rajon, e sidomos nga ata të cilëve mund t’iu shkojë mendja që të përdorin veprime destabilizuese”, tha Osmani.
Shefi i NATO-s ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.
Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë, teksa u ka bërë thirrje evropianëve që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që evropianët të paguajnë më shumë në këtë sektor, duke ngritur dilema nëse ata do të ishin tani në gjendje të mbronin SHBA-në, siç e kërkon Neni 5 i NATO-s.
SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë, ndërsa prej tyre 600 janë të vendosura në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.
Vizita e Ruttes në Kosovë zhvillohet pas asaj që ai bëri në Bosnje e Hercegovinë, më 10 mars, ku dha mesazhin që aleanca nuk do të lejojë që “të rrezikohet paqja e fituar me shumë vështirësi”./ REL

