Shkrime
Fitoren Ramës ia dhuroi Berisha, këtë na tregon Tirana Urbane. Ndoshta ky është misioni i tij

Nga Blendi Kajsiu
Përralla e vjetër elektorale e berishizmit është se zgjedhjet nuk i humb Sali Berisha por i manipulon Edi Rama, me krimin e organizuar, me shitblerjen e votës dhe me administratën publike. Sipas kësaj përralle nëse do ekzistonte një Shqipëri e lirë, pa ndikimin e krimit dhe blerjen e votës, që nuk zbrazet si pasojë e regjimit Rama, ajo nuk do votonte për Ramën dhe PS-në por për Berishën dhe PD-në. Fatmirësisht për ne, dhe fatkeqësisht për berishistët, një Shqipëri e tillë ekziston dhe voton, ajo quhet Bashkia e Tiranës, zona urbane, njësitë administrative 1 – 11. Kjo copë Shqipëri nuk kontrollohet nga krimi i organizuar dhe nuk vuan nga shit-blerja e votës sepse aty jeton popullsia me nivelet më të larta arsimore dhe ekonomike. Ajo nuk është zbrazur nga qytetarët shqiptarë, ndryshe nga shumë zona të tjera periferike të vendit ku është e vështirë të ndash mospjesmarrjen në votime nga emigracioni.
Por Tirana urbane është një kampion ideal edhe për të kuptuar tendencat elektorale në rang vendi, për tre arsye. Së pari, numri i votuesve në Tiranën urbanë është shumë i madh, bëhet fjalë për qindra mijëra votues në 11 njësi administrative, pra kemi të bëjmë me një kampion shumë të madh. Së dyti, Tirana urbane është përfaqësuese e popullsisë shqiptare në përgjithësi pasi aty jetojnë të ardhurit nga e gjithë Shqipëria, nga mesi, jugu dhe veriu. Së treti, Tirana nuk është një bastion elektoral, sic janë Shkodra apo Vlora, vota e saj ka ndryshuar herë majtas dhe herë djathtas. Në këtë aspekt Tirana është shumë më përfaqësuese e tendencës elektorale në rang vendi se çdo bashki tjetër. Të gjitha arsyet e mësipërme janë të mjaftueshme për të arritur në dy konkluzione. Së pari, rezultati i zgjedhjeve në Tiranën urbane reflekton qartë vullnetin e elektoratit kryeqytetas. Së dyti, ky vullnet elektoral pasqyron edhe tendencën e vullnetit elektoral të pjesës tjetër të vendit.
Nuk është rastësi që në Shqipëri asnjë forcë apo koalicion politik nuk ka mundur të fitojë zgjedhjet pa fituar Tiranën. I vetmi përjashtim ka qenë Partia e Punës në zgjedhjet e vitit 1991, e cila humbi Tiranën por fitoi pjesën tjetër të Shqipërisë. Por edhe kjo fitore ishte e shkurtër sepse në zgjedhjet e vitit 1992 PP-ja e humbi edhe pjesën tjetër të vendit. Le të shikojmë atëherë se si ka votuar Tirana Urbane, njësitë 1- 11, në zgjedhjet parlamentare të vititi 2025 dhe 2021. Tabela 1 më poshtë tregon votat që ka marrë PS-ja dhe PD-ja, bashkë me aletatë e saj, në vitin 2021 dhe 2025 në njësitë administrative 1-11 në Tiranë.

Tabela 1 na tregon të njëjtën tendencë si në nivel kombëtar. Më shumë se me fitore të Edi Ramës dhe PS-së kemi të bëjmë me një humbje të thellë të Sali Berishës dhe PD-së. Së pari, PD-ja nuk ka fituar në asnjë nga njëmbëdhjetë njësitë administrative të Tiranës Urbane. Para ndeshja ka dalë 11 me 0 për PS-në në Tiranë në nivel njësish administrative. Në total PS-ja mori 126 320 vota ndërsa PD-ja vetëm 85 771. Pra vetëm në Tiranën Urbane, ku as vetë PD-ja nuk është ankuar për krim elektoral dhe blerje votash, PS-ja e vetme mori 40 549 vota më shumë se PD-ja dhe koalicioni i saj. Por fitorja e PS-së nuk erdhi nga rritja elektorale e saj, përkundrazi në Tiranën Urbane PS-ja në zgjedhjet e viti 2025 mori 15 423 vota më pak se në vitin 2021. Pati rënie elektorale në të gjitha njësitë administrative. Ajo që e rriti fitoren e PS-së ishte rrakapjekthi elektoral i berishizmit që ra me 40 549 vota në raport me vitin 2021.
Nëse në vitin 2021 PD-ja fitoi dy njësi administrative në Tiranë, 8 dhe 11, në vitin 2025 nuk fitoi asnjë. Është e rëndësishme të theksojmë se rëniet e mësipërme nuk mund të shpjegohen thjesht me faktorin e emigrimit sepse Tirana Urbane është një bashki që ndryshe nga pjesa tjetër e bashkive në vend nuk është reduktuar në popullësi, përkundrazi. Ndaj rënia e votës për PS-në mund të interpretohet si rritje e pakënaqësisë ndaj qeverisjes Rama, ose si efekt i arrestimit të Erjon Veliajt dhe i dobësimit të makinës elektorale socialiste në Tiranë, ose si një kombinim i këtyre dy faktorëve.
Ndërkohë që rënia e thellë e votës për PD-në është një refuzim i qartë për Berishën dhe berishizmin nga një elektorat që voton me vullnet më të lirë se cdo elektorat tjetër në vend. Kemi të bëjmë me një rënie shumë më të thellë se ajo e PS-së. Nëse PS-ja ra me 11% në Tiranën urbane në vitin 2025 në raport me vitin 2021, PD-ja ra me 32%, pra gati tre herë më shumë. Ky është kyci i triumfit elektoral të Ramës në Tiranë. Statistikat e mësipërme vërtetojnë tezën e stërthënë, se shqiptarët janë të lodhur me qeverisjen Rama por refuzojnë shumë më tepër opozitën Berisha. Është një fakt që koha gjithnjë e më tepër e vërteton sa më shumë berishizmi e anatemon si një tezë kriminale që artikulohet nga palaco-analistë apo idiotë të dobishëm të regjimit.
Natyrisht të thuash që Berisha i humbi zgjedhjet nuk do të thotë se Rama fitoi pa ndihmën apo ndikimin e krimit të organizuar. Ndërhyrja e këtij të fundit në Elbasan apo Durrës në favor të kandidatëve të Partisë Socialiste është gjithnjë e më evidente. Ashtu sikurse është gjithnjë e më i qartë penetrimi i pushtetit socialist nga krimi i organizuar edhe nëpërmjet modelit zhvillimor Dubai që ofron mundësi për larje masive të parave të pisëta. Ama fitoren spektakolare Ramës nuk ia dhuroi krimi i organizuar, por Sali Berisha me rrudhjen spektakolare që i bëri PD-së dhe elektoratit të saj. Të paktën këtë na tregon Tirana Urbane. Nëse sistemi ynë politik vazhdon të mbetet bi-polar i njëjti Berishë do i dhurojë Ramës zgjedhjet e radhës në vitin 2027 dhe 2029. Ndoshta ky është misioni i tij./ Shkruar enkas për Lapsi.al

