Kosova
Fitorja e dytë pas Pavarësisë/ Kosova mbi tavolinën e KiE
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka konsideruar “hap historik” vendimin e Komitetit Ministror të Këshillit të Europës për të proceduar me aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare.
Ajo tha se vendimi mund të jetë ndoshta hapi më i rëndësishëm pas shpalljes së Pavarësisë.
Gervalla gjithashtu falënderoi veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe tha se “përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës”.
Dje, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
Për Kosovën, me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë ne kete organizem.
Pas kësaj, Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor.