Sport
Fitorja e Shqipërisë, “jehonë” në rrjetet sociale në të gjithë globin
Optimizmi i tifozëve shqiptarë përpara ndeshjes ishte i justifikuar duke parë ecurinë e dy ekipeve në 6 muajt e fundit. Por për spektatorët e thejshtë, ata të cilët thjesht kanë ndjekur këtë duel si një ndeshje të zakonshme triumfi i djemve të Silvinjos ka qenë një surprizë e madhe. Në rrjetet sociale të njërit prej medieve më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “FOX” i ka kushtuar një postim fitores të Shqipërisë duke vendosur në pah faktin se ky tripikësh i jep vendin e parë në Grup të besuarve të Silvinjos. Nga ana tjetër për faqet në rrjetet sociale të UEFA-s tashmë është kthyer në rutinë postimi i golave të Shqipërisë, e cila të paktën në tre takime të këtyre eliminatoreve ka shënuar gola spektakolarë.Asani mahniti të gjithë në pjesën e parë kur me një goditje me të majtën nga distance e largët dhe një kënd thuajse i pamundur, dërgoi topin në cepin e rrjetës duke shpërthyer kështu festën e 22 mijë tifozëve në stadium e miliona të tjerëve nga ekrani televiziv. Një gol aq i çmendur sa ka bërë për vete edhe UEFA-n e cila me një postim në rrjete sociale, ndan me ndjekësit një foto të sulmuesit me diçiturën: Jasir Asani, përuluni! Kjo ishte një golazo!