Shkrime
Fitorja e Vuçiçit, e rrezikshme për Kosovën
“Fitorja në zgjedhje e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic, është negative dhe e rrezikshme, në radhë të parë për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe të Malit të Zi dhe Kosovës, sepse ai, përmes aleatëve të tij në këto vende, do ta prezantojë veten dhe Serbinë si lojtare e madhe në rajon” – Kështu deklaroi analisti nga Podgorica, Zllatko Vujoviç
Millorad Dodik nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Andrija Mandic nga Mali i Zi ishin në skenën e fitores më 17 dhjetor, kur Vuçic tha se Partia e tij Përparimtare Serbe ka fituar zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Të dy ata janë zyrtarë të lartë të vendeve të tjera – Dodik është president i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Mandic është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
“Pikërisht përmes tyre, Serbia do të përpiqet të ndikojë në politikën e fqinjëve të saj” – thotë Vujoviç.
Nga ana tjetër, Burim Ramadani, ekspert i sigurisë dhe ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tha se anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës në NATO, do t’i kufizonte tendencat negative të Serbisë në rajon, e cila, siç shprehet ai, vazhdon te promovojë panserbizmin, ideologjinë e ‘Serbisë së Madhe’ dhe te kërcënojë qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të mbështetjes për serbët jashtë Serbisë, Beogradi zyrtar përkrah politikisht dhe financiarisht forcat e Dodikut dhe ato të Mandicit.
Por, Vujovic thotë se bashkëpunimi i Vuçicit me Mandicin dhe Dodikun mund të përfshijë edhe mënyra të tjera ndihme, përveç këtyre.
Ai tha se rreziku më i madh është shfrytëzimi i votuesve nga vendet tjera për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në vendin ku mbahen – gjë që ndodhi në zgjedhjet e fundit në Serbi
Ky fenomen, sipas Vujovicit, nuk është i ri. Në disa palë zgjedhje të fundit në Mal të Zi kanë votuar votues të saporegjistruar nga Bosnje dhe Hercegovine, përkatësisht nga Republika Sërpska, duke ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, bëhet fjalë për “marrje me qira të dyanshme” të votuesve.
“Nga Serbia dhe Bosnja vijnë në Mal të Zi për të votuar, nga Mali i Zi, Kosova dhe Republika Sërpska shkojnë për të votuar në Beograd. Kjo është shumë destabilizuese për rajonin”, theksoi Vujovic
Burim Ramadani u shpreh se zgjedhjet në Serbi kanë treguar se “rrjeti nacionalist” në këtë vend “vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe” dhe si i tillë “ka marrë edhe mbështetjen e udhëheqësve serbë në vendet e tjera, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi”.
Ai shtoi se panserbizmi, i cili në të kaluarën kishte edhe emra të tjerë, si ‘Serbia e Madhe’ dhe ‘Bota serbe’, tani mund të kalojë në ‘konfederatë të territoreve serbe’, e cila është gjithashtu një lloj kërcënimi për Ballkanin Perëndimor. …NATO-ja do të detyrohet të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu do duhet ta ndëshkojë udhëheqjen serbe”.
Ramadani tha se një ideologji e tillë mund të ndalet vetëm me zgjerimin dhe praninë e mëtejshme të NATO-s në rajon, si dhe me ndëshkimin e drejtpërdrejtë të udhëheqjes së Serbisë, e cila promovon ideologji të ekstremizmit dhe nacionalizmit.
“Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovina duhet t’i bashkohen NATO-s me hapa të përshpejtuar dhe, në të njëjtën kohë, Serbia duhet te marrë dënimin e merituar nëse vazhdon të promovojë ideologji nacionaliste të panserbizmit, qoftë duke futur në listën e zezë individë të saj, qoftë duke e hequr atë nga programi i NATO-s ‘Partneriteti për Paqe’ – potencoi Ramadani