Connect with us

Kosova

Fizarmonika serbe, muzikë me dy nota pentagrami, Gjuriç pas takimit me Lajçak-un

Marko Gjuriç, Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka pretenduar se që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit, pozita e serbëve të Kosovës gjoja “është përkeqësuar në mënyrë drastike”.

Këto komente, Gjuriç i ka bërë pas takimit që ka pasur me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak.

Siç njoftojnë mediat serbe, gjatë këtij takimi Gjuriç ka theksuar se shteti që ai përfaqëson është “i përkushtuar për vazhdimin e dialogut, si e vetmja zgjidhje korrekte”, teksa ka sulmuar sërish kryeministrin Kurti.

“Regjimi i Kurtit vazhdimisht sulmon procesin e dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe zbaton masa represive që çojnë në krijimin e një Kosove mono-etnike, e cila drejtpërdrejt cenon qëllimet e bashkësisë ndërkombëtare” – ka pretenduar serbi Gjuriç

Ai gjithashtu ka potencuar se Beogradi e mbështet draft-statutin evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe se do të vazhdojë që të insistojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, “si dhe gjithçka është dakorduar deri më tani me ndërmjetësimin evropian”.

“Shteti i Serbisë do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të mbrojtur interesat e popullit të saj dhe për të garantuar sigurinë dhe mbijetesën e tyre, të cilat janë në një nivel jashtëzakonisht të lartë kërcënimi për shkak të veprimeve destruktive afatgjata të Prishtinës”, propagandoi korrieri i propagandës serbe.

Advertisement