Politike
Fjalimi i Diellës që shkaktoi revoltë nga opozita/ Zbardhet letra që Grupi Parlamentar i PD i ka nisur Trupit Diplomatik

Grupi Parlamentar i PD i është drejtuar me një letër Trupit Diplomatik në Tiranë pas seancës së sotme plenare.
Dokumenti që mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, flet për “situatën e paprecedentë që ndodhi sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të thirrur për miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar”.
Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë kaq flagrante dhe përçarëse, thuhet më tej në letër.
“Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë flagrante dhe përçarëse.
Përmes veprimeve antikushtetuese dhe në shkelje të rregullores së brendshme të Kuvendit, të ndërmarra nga Kryetari i Kuvendit dhe kreu i shumicës parlamentare, debati politik i përfaqësuesve të qytetarëve u pengua qëllimisht, duke dëmtuar rëndë demokracinë parlamentare dhe bashkëjetesën politike brenda institucioneve legjitime demokratike”.
Sipas demokratëve, ‘dinamika e ngjarjeve të sotme tregon një plan të mirëorganizuar nga Kryeministri Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare’.
“Përmes këtyre veprimeve të paprecedenta, në shkelje të Rregullores së Punës dhe duke shkelur parimet kushtetuese, e drejta e deputetëve të opozitës për një debat politik mbi programin dhe kabinetin qeveritar u mohua qëllimisht. Gjithashtu, vërejmë me shqetësim ofendimin e rëndë të shkaktuar nga Kryeministri Rama ndaj përfaqësuesve më të lartë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, të cilët morën pjesë në këtë seancë solemne, me rëndësi të veçantë për fillimin e çdo legjislature të re. Mohimi i së drejtës për debat parlamentar, shkeljet e përsëritura të ligjit themelor të vendit dhe shkeljet e rregullave të brendshme të Kuvendit tregojnë qartë një minim të qëllimshëm të rendit kushtetues dhe uzurpim të autoritetit legjitim vendimmarrës të institucioneve demokratike në vend. Në këtë situatë të paprecedentë, vërejmë me shqetësim minimin e jetës parlamentare, mohimin e të drejtës kushtetuese të deputetëve për debat politik, dhe, mbi të gjitha, shpërfilljen e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë, duke tentuar anulimin total të organit më të lartë përfaqësues të vullnetit të tyre politik”.
Pas seancës së sotme, PD kërkoi nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e kryetarit të kuvendit Niko Peleshi, “pasi nuk është kryetar Kuvendi, por kukull që urdhërohet nga Edi Rama“.

