Connect with us

Aktualitet

“Fjalorin banal ma mësonte…”/ Gjyshja e detyroi të dilte në ‘Tik Tok’, ja dëshmia e 10-vjeçarit

“Babai më kërcënonte gjatë gjithë kohës me thikë që të shfaqesha në rrjetet sociale”, kështu ka deklaruar 10-vjeçari me iniciale A. K., videot e të cilit duke ofenduar me fjalor banal u bënë virale në TikTok, ndërsa në pranga u vendosën gjyshja e tij, Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku, pasi akuzohen për “Keqtrajtim i të miturit”.

Njoftimi i Prokurorisë

Detyruan të miturin të bëjë video për rrjetet sociale me fjalor banal, Prokuroria e Beratit dërgon në gjyq babain dhe gjyshen

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim shtetasit A.K., dhe N.R. për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”.

Nga hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë në kuadër të procedimit penal nr.760/2023, u provua se shtetasit në fjalë kanë keqtrajtuar të miturin 10-vjeçar, i cili është djali dhe nipi i të pandehurve, duke e nxjerrë në rrjetin social “Tiktok” dhe duke përdorur fjalor banal.

Si pasojë e ngjarjeve traumatike, prokuroria vlerësoi se të pandehurit kanë ndikuar në cilësinë e jetës së të miturit duke mos e lejuar të ketë një qetësi shpirtërore, të ndihet i pambrojtur dhe i bullizuar, duke pasur frikëra të vazhdueshme.

Të pandehurit kanë detyruar shtetasin e mitur A. K., të bëjë video dhe të dalë në rrjetin social “Tiktok” duke përdorur fjalë banale dhe fyese tepër të rënda edhe për persona të rritur jo më për moshën që ka viktima e veprës penale, duke e rënduar emocionalisht këtë të fundit me anë të kërcënimeve të bëra nga dy të pandehurit. Nga administrimi i pamjeve filmike shfaqen video, ku djali i mitur ka përdorur sjellje dhe fjalor të papërshtatshëm i nxitur nga të pandehurit babai dhe gjyshja.

Shtetasi A.K. ka deklaruar se shpesh herë ka pasur kërcënime fizike dhe psikologjike kur dilte në “Tik Tok” dhe babai i tij e kërcënonte gjatë gjithë kohës me thikë që ai të shfaqej në rrjetet sociale edhe pse ai shprehej se nuk kishte dëshirë edhe një pjesë të fjalorit që ai përdorte në këtë rrjet nuk ja dinte kuptimin dhe deklaron se e mësonte babai në prezencë të gjyshes. Dhënia e thikës të miturit me gjatësi 25 cm duke ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme, duke e ofenduar në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur me një fjalor shumë të rëndë ndaj tij dhe nënës së tij si dhe me goditje fizike kanë shkaktuar pasoja tek i mituri.

Prokuroria vlerësoi se dhënia e purove dhe pjeve alkoolike fëmijës së mitur nga dy të pandehurit, qartësisht rezulton se ndaj tij është ushtruar keqtrajtim fizik dhe psikologjik dhe është detyruar për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik.

Sa më sipër, u arrit në përfundimin se ka prova të mjaftueshme në mbështetje të akuzës për faktin penal të “Keqtrajtimi i të miturit” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 124/b/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Advertisement