Shkrime
Flamuri i bardhë mund të kthehet në tritolin që do përfshijë gjithë Lindjen e Mesme

Irani ndoshta ngriti flamurin e bardhë. Trump duket se e pranoi.
Më 21 qershor deklaroi se një përgjigje iraniane ndaj sulmeve të SHBA-ve do të përballej me një forcë të furishme.
Më 23 qershor, gjërat kanë ndryshuar dhe pikërisht ajo përgjigje iraniane, mund të jetë shkrepësja që do të ndezë çuditërisht jo zjarrin e luftës, por maturinë drejt zgjidhjes diplomatike në tryezë.
Nuk u desh shumë të kuptohej se presidenti amerikan, Donald Trump, e “bekoi” rrugën drejt paqes me një mesazh të thjeshtë: “Urime botë. Është koha për paqe”.
Është një mesazh shumë i papërfillshëm, por i cili pason një përgjigje më të gjatë që kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri sulmeve “të përmbajtura” iraniane.
Trump, në një mesazh të paprecedent për publikun amerikan dhe gjithë botën, ka pranuar se Irani e ka njoftuar administratën amerikane për sulmin që kishte ndërmend të kryente në bazën amerikane në Katar dhe e ka falënderuar Republikën Islamike për këtë akt, i cili nuk lëndoi asnjë jetë amerikane.
Përpos kësaj, qartazi, Trump ka ftuar palët (përfshi Izraelin) drejt uljes së tensioneve dhe drejt një paqeje të mundshme në Lindjen e Mesme.
Përmes një publikimi në median e tij sociale Truth Social, Trump shkroi se Irani tashmë u përgjigj zyrtarisht ndaj sulmit amerikan, në një mënyrë shumë të dobët dhe për të cilën amerikanët ishin njoftuar dhe morën të gjitha masat për t’i asgjësuar sulmet.
Por, është edhe ajo që shihet pas perdeve.
Është një Shtëpi e Bardhë, e cila nuk komenton zyrtarisht, por thotë për mediat se në fakt, Trump nuk do më asnjë ditë luftë në Lindjen e Mesme. Aq sa ia ka bërë këtë të qartë edhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Është edhe një diplomaci iraniane, e cila sulmin e përmbajtur ndaj bazës amerikane, e quan “përgjigjen e merituar kundër SHBA-ve”.
“Irani është i përgatitur të përgjigjet përsëri në rast të çdo agresioni të mëtejshëm të SHBA-ve”, thotë pas sulmit Abass Araghchi, ministri i Jashtëm iranian, i cili po ashtu dukej sikur ngriti flamurin e bardhë, për të thënë boll më.
Por sërish në mes është vetëm një vend, Izraeli. Ndoshta, thjesht ishte!
Netanyahu duket se e ka luajtur boll rolin e protagonistit.
Sherifi i ri i Lindjes së Mesme është ai që e projektoi veten gjashtë vjet më parë, me akordet historike të Abrahamit.
Donald Trump ka njoftuar se palët kanë arritur marrëveshjen për armëpushim e më pas për paqe.
Nuk ka më vend për raketa, vetëm për diplomaci e prosperitet.
Dhe kjo duket se do të shënjohet me pikënisje ato, bombardimet “hakmarrëse” iraniane.
Flamuri i bardhë, i ngritur për Shtëpinë e Bardhë!

