Connect with us

Politike

Floriana Garo kërkon të jetë deputete? Zëdhënësja e PD: Gratë duhet të kenë…

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo duket se nuk ka ndërmend që të mbajë edhe për shumë gjatë postin që ka aktualisht. Në një intervistë, Garo u shpreh se nuk e përjashton kandidimin për deputete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sigurisht që nën logon e demokratëve. Në rrëfimin e saj, Garo tha se ka ambicje politike, duke i sugjeruar edhe kryedemokratit Sali Berisha që të përfshirë më shumë gratë dhe vajzat në listat shumëemërore.

“Mendoj që gratë duhet të marrin më shumë përgjegjësi, mendoj se Berisha do t’ia lërë këtë përgjegjësi edhe grave në hartimin e listave në zgjedhjet që do të vijnë dhe do të shohim më shumë prezencë femërore. Unë jam futur në këtë parti edhe për të shpalosur ambiciet e mia politike edhe për të parë se si ishte kjo fushë. Gjatë kësaj kohe, unë kam mësuar shumë dhe kam dhënë shumë në një kohë të vështirë opozitare, duke vënë fytyrën time, mendjen dhe kohën në këtë parti. Është një evolucion që po shkon drejt kësaj,”-tha Garo.

Garo u bë pjesë e grupit “Berisha” që në nëntor të vitit 2021. Ajo shoqëroi kryedemokratin në turin e tij nëpër Shqipëri, fill sapo ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para se të shfaqej me Berishën, Garo cilësohej si një personazh që ishte pranë Lulzim Bashës. Por qëndrimi i saj ndryshoi, e që prej asokohe, ajo dhe Berisha janë të “pandarë”. Mesa duket tashmë kërkon një shpërblim për “besnikërinë” e saj. Mbetet për t’u parë nëse Garo do të jetë një nga emrat e listës së kandidatëve për deputetë.

Advertisement