Aktualitet
Fluks hyrje-daljesh në Qafë Botë, autoritetet shqiptare kërkojnë hapjen 24 orë të kufirit

Radhë të gjata pritjeje vijojnë të jenë prezente edhe këtë fundjavë në pikën kufitare të Qafëbotës.
Pavarësisht rritjes së numrit të sporteleve në anën greke, fluksi i lartë dhe organizimi aktual me hyrje e dalje në të njëjtin krah kanë bërë që situata të mbetet e tensionuar dhe lëvizja e ngadalësuar.
Në një intervistë për mediat, prefekti i Qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, e cilësoi situatën si të pazakontë, duke theksuar se ajo është përkeqësuar që prej arrestimit të gjithë stafit të mëparshëm të doganës greke.
“Ndryshimi i përditshëm i punonjësve ka sjellë vonesa serioze në qarkullim dhe rradhë të gjata në të dy anët e kufirit. Na është thënë se kjo është një situatë provizore, por kuptohet që jemi në pikun e sezonit turistik dhe masat duhen marrë menjëherë“, tha Kiço.
Ai shtoi se për shkak të fluksit të shtuar dhe rëndësisë që ka kjo pikë, veçanërisht në sezon, autoritetet shqiptare kanë kërkuar hapjen 24 orë të kufirit me Greqinë Qafë – Botë.
“Katër vite më parë kemi pasur një marrëveshje me palën greke që nga prilli në tetor të kishte shërbim 24 orësh. Sot, më shumë se kurrë, kjo është domosdoshmëri, për shkak të fluksit të turistëve dhe rëndësisë së portit të Igumenicës“, u shpreh ai.
Zhvillimet e fundit përfshijnë edhe një takim të organizuar në kufi, ku me ndërmjetësimin e deputetit të Vlorës, Vasil Llajo, janë mbledhur përfaqësues të lartë të të dyja palëve.
Në tryezë morën pjesë deputeti grek i Thesprotisë Vasilis Giogiakas, kryetari i Bashkisë së Igumenicës Panajoti Dais, nënkryetari i Filatit dhe përfaqësues të doganës greke.
Pas takimit, është dërguar një kërkesë zyrtare në Ministrinë Greke të Ekonomisë dhe Drejtorinë e Doganave, ndërkohë që pritet përgjigje brenda kësaj jave.
Pala greke ka konfirmuar se ka shpallur 10 vende të reja pune për doganën e Mavromatit, që do të plotësohen me procedurë të përshpejtuar, ndërsa nga e hëna do të nisë ndarja e flukseve të hyrjes dhe daljes në drejtime të ndryshme, për të ulur vonesat.
Autoritetet shqiptare shpresojnë që këto masa, së bashku me vendosjen e shërbimit 24 orësh, të sjellin normalizimin e qarkullimit, i cili është jetik për turizmin, tregtinë dhe komunitetin ndërkufitar në jug të vendit

