Kosova
Fluturimi bosh në Beograd/ Vuçiç takon Sorensen, i kërkon themelimin e Asociacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar në Beograd me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Sipas tij, biseda ishte e hapur dhe u përqendrua në mundësitë për vazhdimin e dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe në sfidat që kanë të bëjnë me pozitën e serbëve në Kosovë.
“I theksova se është thelbësore që dialogu të kthehet te parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar, para së gjithash te detyrimi për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të qytetarëve tanë në Kosovë”, ka deklaruar Vuçiç në Instagram.
Ai shtoi se përpjekja për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme konfirmon edhe njëherë se “respektimi i të drejtave themelore dhe liria e veprimit politik të serbëve në Kosovë po rrezikohet”.
“Politika jonë është politikë paqeje, e përkushtuar fuqishëm në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe në një luftë vendimtare dhe të përgjegjshme për ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, theksoi ai.
Sipas tij, vetëm me respekt të ndërsjellë, përgjegjësi të qartë dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura mund të flitet për stabilitet të vërtetë në të gjithë rajonin.
Vuçiç dhe Sorensen janë takuar për herë të parë më 25 mars në Beograd dhe më pas më 13 qershor në Pragë, në kuadër të Forumit Global të Sigurisë. Edhe atëherë, Vuçiç kishte përsëritur se Serbia mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj gjetjes së zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, duke nënvizuar se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është kyç për vazhdimin e tij.

