Aktualitet
Foltore 2 apo shumë zhurmë për asgjë/ Përpjekjen e fundit të doktorit e ka në dorë Berisha
A duhet t’i besojnë më demokratët Sali Berishës? Kjo pyetje po rikthehet sërish në qendër të debatit politik, pasi në qarqet e Partisë Demokratike flitet për një nismë të re, një lloj “Foltorja 2”, me të cilën ish-kryeministri synon të ringjallë energjinë e bazës dhe të rimarrë kontrollin e narrativës së brendshme. Ka një problem madhor. Eentuziazmi nuk është më ai i viteve të para dhe shumë demokratë pyesin nëse një projekt i tillë ka ende shanse të prodhojë ndryshim real.
“Foltorja 1”, megjithë zhurmën që solli, nuk arriti t’i përmbushte pritshmëritë e mbështetësve të saj. Kritikues të shumtë brenda PD-së argumentojnë se ajo nuk e hapi partinë, nuk solli transparencë dhe nuk shtriu dorën tek të gjithë grupet e interesit brenda formacionit. Përkundrazi, sipas tyre, Berisha ka vijuar të marrë vendime të centralizuara dhe shpesh të njëanshme, duke kufizuar hapësirën për rrymat e reja politike.
Pikëpyetjet u shtuan sidomos pas listave të fundit, ku shumë kandidatë që dolën fuqishëm nga Primaret mbetën jashtë renditjes përfundimtare. Këto vendime kanë shkaktuar zhgënjim të dukshëm te strukturat lokale, të cilat ndihen të anashkaluara dhe të papërfillura. Për shumë prej tyre, ky episod konfirmoi se Berisha nuk e përdor procesin e Primareve si mekanizëm përfshirës, por si instrument formal për të legjitimuar zgjedhjet e paracaktuara.
Një tjetër pikë tensioni është marrëdhënia e tij me Edi Ramën. Kritikat ndaj Berishës janë ashpërsuar, sidomos pas diskutimeve të përsëritura për ndryshimet në kodin zgjedhor. Kundërshtarët e tij brenda PD-së pretendojnë se ka një bashkëpunim të heshtur mes dy liderëve, një “besëlidhje” e padeklaruar që nuk i shërben opozitës, por i konsolidon pushtetin mazhorancës. Berisha i ka hedhur poshtë këto akuza, por skepticizmi mbetet i fortë.
Madje, disa zëra brenda kampit opozitar shkojnë edhe më tej, duke e akuzuar Berishën se de facto po vepron si “asistent personal i Ramës”, duke qenë më shumë pengesë sesa alternativë qeverisëse. Këto janë deklarata të forta politike, të cilat ndoshta e teprojnë në retorikë, por fakti që artikulohen nga njerëz brenda vetë PD-së tregon nivelin e pakënaqësisë së brendshme.
Në këtë klimë të tensionuar, ideja e “Foltores 2” ngjan si përpjekja e fundit për të rindërtuar besimin dhe për të rifituar terren. Suksesi i saj varet nga një faktor thelbësor: nëse Berisha është i gatshëm të bëjë atë që nuk e bëri me “Foltoren 1”: të hapë vërtet partinë, të dëgjojë strukturat dhe të pranojë meritokracinë. Nëse jo, demokratët rrezikojnë të shohin një përsëritje të të njëjtit skenar, me të njëjtat gabime dhe me të njëjtat pasoja.