Kosova
“Foreign Affairs” alarmon për zhvillimet Kosovë-Serbi dhe Ballkanin
Revista prestigjioze amerikane “Foreign Affairs” ka publikuar një artikull ku flet gjerësisht për tensionet ndërmjet Kosovës e Serbisë, veçanërisht pas rastit të sulmit terrorist në Banjskë.
Artikulli nis me dislokimin e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, në atë që thotë se përbënte një nga grumbullimet më të mëdha ushtarake serbe që nga fundi i luftës në Kosovë gati një çerek shekulli më parë.
“Megjithëse zhvillimi u anashkalua kryesisht nga mediat perëndimore në atë kohë – dhe që atëherë është harruar në mes të shpërthimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit – ngjarja është pjesë e një zhvillimi alarmues në Ballkan” – thuhet në artikull, teksa dhe theksohet se ka shumë indikacione se këto incidente shkojnë përtej tensioneve të njohura që vazhduan vitet e kaluara, duke përmendur këtu edhe ndikimin rus.
Këto incidente tregojnë gjithashtu kërcënimin në rritje që Rusia, partneri i Serbisë, po paraqet për rajonin. Artikulli thekson se pjesë e arsyes pse Rusia është e lumtur të ngjallë konfliktin historik midis Kosovës dhe Serbisë, është sepse duke vepruar kështu, preken burimet e NATO-s dhe minohet fuqia e SHBA-së në Evropë.
NATO e detyroi Serbinë të tërhiqej nga Kosova në vitin 1999 dhe aleanca ka mbajtur një forcë të vogël paqeruajtëse të trupave të NATO-s në vend që atëherë. Si rezultat, rritja e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë teston fuqinë e qëndrimit të NATO-s në rajon. Mbështetja e Serbisë gjithashtu i jep Rusisë një terren në Ballkan. Zyrtarët serbë kanë falënderuar Rusinë për “mbështetjen e saj për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë” dhe kanë theksuar se mbështetja e Moskës është arsyeja që Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Artikulli paralajmëron për planet destabilizuese të Vuçiçit, duke shtuar se presidenti serb nuk ka nevojë të ndjekë një fushatë ushtarake të plotë në Kosovë për të çuar përpara projektin e tij të destabilizimit.
Ndër të tjera, artikulli bën thirrje që NATO-ja t’i japë fund me vendosmëri lojërave të Aleksandër Vuçiçit të mundësuara nga Kremlini dhe që përfundimisht të vendosë vijat e kuqe ndaj Serbisë.
“Është koha, që NATO t’i japë fund me vendosmëri këtij spektakli. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t’i bëjnë të qartë Beogradit dhe Moskës se do të reagojnë ashpër ndaj provokimeve të ardhshme ballkanike. Ata duhet të forcojnë praninë e NATO-s në rajon dhe të vendosin vija të kuqe të besueshme që Serbia nuk mund t’i kalojë pa provokuar një konfrontim ushtarak me forcat e NATO-s, si dhe duhet të sanksionojnë Beogradin nëse udhëheqësit e Serbisë nuk largohen nga Moska dhe nuk de-përshkallëzojnë tensionet” – thuhet ndër të tjera në artikull.