Kronike
FOTO/ Akuzohet për ekzekutimin e babë e bir, ekstardohet Olsi Leka
Shtetasi i ekstraduar nga Greqia, i akuzuar për ekzekutimin e 2 shtetasve (babë e bir), në Elbasan, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
-Shtetasi i ekstraduar nga Franca, i dënuar me 5 vjet burgim, për shpërndarje të lëndës narkotike kanabis në doza, në afërsi të shkollave.
Në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre në vendin ku ata duhet të kryejnë dënimin, janë kapur në Greqi dhe në Francë dhe janë ekstraduar në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.
-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, është kapur në Greqi dhe është ekstraduar drejt vendit tonë, shtetasi J. L. alias O. L. Alias G. L., 44 vjeç, banues në Gjirokastër.
Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi GJKKO ka miratuar vendimin penal të datës 12.06.2020, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e krimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Në vitin 2012, në Elbasan, 44-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin E. B. (në rolin e ekzekutorëve) dhe me disa shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit A. B. dhe N. B. (babë e bir).
-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Paris, është kapur në Francë dhe është ekstraduar drejt vendit tonë, shtetasi Redi Dizdari, 43 vjeç, i dënuar më parë.
Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Francë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 29 ditë burgim.
Në vitin 2014, në një lokal në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë gjetur dhe sekuestruar 106 doza të lëndës narkotike cannabis sativa. Nga hetimet rezultoi se dozat i posedonte shtetasi Redi Dizdari, me qëllim shitjen te nxënësit e shkollave.
Të dy shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.