Zeqir Kordhoni, daja i bashkëthemeluesit të lëvizjes Endri Shabani dhe i renditur i nënti në listën e mbyllur të Tiranës, ndonëse në fillim kishte firmosur dorëheqjen, duket se është penduar dhe kërkon të rishqyrtojë vendimin e tij.
Përmes një letre drejtuar kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, Kordhoni është prezantuar si deputet i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe ka kërkuar një kopje të dorëheqjes së firmosur më parë në emrin e tij.
“I nderuar z. Celibashi, unë jam Zeqir Kordhoni, deputet i partisë ‘Nisma Shqipëria Bëhet’. Kam mësuar se kjo parti ka dërguar një letër dorëheqjeje në emër tim. Dua të kërkoj një kopje të kësaj letre. Me respekt, Zeqir Kordhoni.”
Nëse Kordhoni nuk e dorëzon dorëheqjen zyrtarisht në KQZ, atëherë Adriatik Lapaj do të detyrohej të çonte në Kuvend njërin nga tetë emrat e tjerë në listën e mbyllur të Tiranës.
Sipas informacioneve, Lapaj dhe Shabani kishin vendosur para zgjedhjeve që lista e mbyllur të përbëhej nga persona të cilët do të jepnin dorëheqjen, për t’u hapur rrugë emrave më të votuar në listën e hapur. Më i votuari në listën e hapur rezulton vetë Adriatik Lapaj. Megjithatë, ai është përballë një dileme për shkak të një premtimi të dhënë gjatë fushatës: se nëse koalicioni do të merrte vetëm një mandat, nuk do të ishte ai që do të shkonte në Parlament.
Nga njëra anë, Lapaj ndjen presionin e anëtarëve të lëvizjes që i kërkojnë të marrë mandatin, ndërsa nga ana tjetër është përballë fjalës së dhënë.
Në CV-në e dorëzuar pranë KQZ-së, Zeqir Kordhoni deklaron se është invalid dhe përfitues i skemës KEMP.