Aktualitet
FOTO/ Planifikoi vrasje e Preng Palucës, ky është shqiptari i arrestuar
Personi në foto është Hektor Ndoka, 33-vjeçari i arrestuar nga policia spanjolle pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për planifikimin e vrasjes së Preng Palucës. 33-vjeçari me precedent të theksuar kriminal, dhe i dyshuar për një seri ngjarjesh të rënda, u vu në pranga nga policia spanjolle në Madrid.
Sipas mediave spanjolle, pas prangosjes së Ndokës, policia i gjeti atij 3 armë zjarri dhe municion luftarak.
Hektor Ndoka u shpall në kërkim më 8 Dhjetor të 2021. Së bashku me Edmir Vlashin, kishin planifikuar vrasjen e Preng Palucës në Tiranë, ngjarje kjo që nuk u finalizua. Shkak u bë një konflikt për prishje të pazareve të drogës jashtë shtetit.
Preng Paluca u planifikua të vritej me mina të telekomanduara nga një grup kriminal rival, për shkak të prishjes së një pazari droge në Belgjikë e Spanjë. Porositësit kishin ‘kontraktuar’ për të bërë punën 3 persona; Hektor Sadiku (Ndoka), Edmir Vlashi (Marku) dhe Mark Lamkja. Këta të fundit planifikonin çdo gjë në lokalin e vjehrrit dhe vjehrrës së tyre, Nikoll e Marie Marku.
Plani për atentatin u zbulua krejt rastësisht pasi Policia u informua se çifti Marku dhe dhëndri i tyre Mark Lamkja posedonin arsenal armësh. Në këtë mënyrë policia ra në gjurmët e dy personave të cilët do të kryenin vrasjen. Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka kishin pak kohë që sapo ishin kthyer nga Belgjika. Ata kishin ardhur disa herë në Tiranë, ndërsa më datë 7 u nisën ‘ekzekutorët’.
Çifti Marku dhe dhëndrri i tyre Mark Lamkja u vunë në pranga, ndërsa Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka u shpallën në kërkim.