Policia e Shtetit ka finalizuar ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjes, 44 vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare. Ai mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 17.00 të kësaj të premteje.
Siç shikohet edhe në fotografinë Florenc Çapja ka ndryshuar shumë në raport me një foto të vjetër të tij, që Policia e Shtetit dispononte, kur e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai pas 8 vitesh duket me mjekër dhe me flokët e rënë.
Çapja ndodhej në Dubai prej rreth 8 vitesh ku jetonte i pashqetësuar, ndërsa pas kthimit në Shqipëri do të vendoset në një burg të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin me burg përjetë.
44-vjeçari Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas, i cili është kreu i një grupi të njohur kriminal në qytetin e Elbasanit, i cili ka pasur përplasje me grupin e një tjetër personazhi të njohur të botës së krimit, Suel Çela. Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale, mes tyre porosi vrasjeje dhe përfshirje në aktivitete kriminale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë. Çapja është akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.
Florenc Çapja dhe xhaxhai i tij Ardian Çapja, i cili ndodhet aktuialisht në burg, janë dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit babë e bir në banesën e tyre në Elbasan në 2012.