Connect with us

Politike

Fredi Beleri: Nuk pyes unë se më qëlluam me vezë e kos, kam bërë burg..

I rikthyer në Shqipëri si eurodeputet, Fredi Beleri sulmon kryeministrin Rama, teksa flet edhe për takimin e munguar në Tiranë.

Sipas tij, takimi me kreun e qeverisë shqiptare ishte në agjendë, por thotë se nuk e di dhe nuk ka rëndësi pse nuk u realizua.

“Ishte në agjendë, para dy-tre ditësh. Dje nuk u bë takimi, por nuk e di dhe nuk ka rëndësi se puna që duhet të bënte delegacioni në BE u krye. Unë kam takuar miqtë e mi. Kam bërë takime informale”, tha ai për A2 CNN.

Sikurse kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, edhe Fredi Beleri i cilëson sulmet me vezë dhe kos ndaj tij si reagime me skenar dhe regji dhe thotë se nuk i priste.

“Nuk i prisja këto reagime. Nuk ishin rastësore, kishin një skenar e regji. Regjisori i bën dëm Shqipërisë. Unë nuk kam pësuar gjë. Unë kam ndenjur 16 muaj në qeli dhe nuk kam frikë nga një vezë e kos. Dhe ai që u frymëzua nuk bëri mirë”, u shpreh Beleri.

I pyetur për marrëdhëniet me Greqinë, Beleri thekson se ato nuk janë në nivelin më të mirë teksa shprehu gatishmërinë për rregullimin e tyre nëse i kërkohet.

“Nuk besoj se janë në nivelin e duhur. Janë përmirësuar nga periudha që unë isha në burg, por besoj se ka shumë për të dëshiruar dhe duhet sa më shpejt të rregullohen”, theksoi ai.

Për punimet e komitetit të stabilizim asocimit Shqipëri-BE të cilat u përmbyllën pa rezolutë të përbashkët për shkak të opozita dhe mazhoranca nuk gjetën dakordësi, eurodeputeti Beleri deklaroi në A2, votën e tij pro dhe shprehu dëshirën për integrimin e Shqipërisë në BE, teksa justifikoi opozitën për votën kundër.

“Unë votova sot rezolutën, unë isha pjesë e Partisë Popullore dhe vota ime ishte pro rezolutës së PE. Unë jam shtetas shqiptar e grek kam dëshirë që Shqipëria të integrohet në BE. Kam shtëpinë dhe biznesin në Himarë. Vendi i Shqipërisë është në BE. Këto dy ditë të gjithë palët shprehën dëshirën për emigrimin e Shqipërisë në BE. Problemet dihen. Opozita është përjashtuar nga parlamenti dhe gjeti një mënyrë për të reaguar”.

Akuzat ndaj tij për vjedhje votash, Beleri iu përgjigj: “PS nuk ka të drejtë të flasë për vjedhje votash se është provuar që është partia që vjedh zgjedhjet”.

Sipas tij në qeverisjen Rama, Shqipëria ka bërë hapa mbrapa dhe kjo faktohet, thekson ai, me largimin e mbi 400 mijë shqiptarëve nga vendi në këto vite.

Advertisement