Aktualitet
Frika nga murtaja/ Shqipëria ndalon importin e bagëtive të imta nga Greqia
Shqipëria vendosi të ndalojë importin e deleve dhe të dhive nga Greqia pas përhapjes në vendin fqinj të murtajës tek bagëtitë e imta. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve pritet të ushtrojë kontrolle në pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë për zbatimin e vendimit, ndërkohë që kontrollet priten të rriten në brezin tokësor të kufirit shqiptaro -grek për të parandaluar hyrjen e paligjshme të tufave të bagëtive.
Shërbimi veterinar shqiptar po bën përpjekje të ndërgjegjësojë barinjtë sidomos në zonat kufitare me Greqinë për rrezikshmërinë e lartë të sëmundjes për ekonomitë e tyre. Më parë në disa zona kufitare janë kryer transporte të paligjshme të bagëtive nga Greqia në Shqipëri dhe nëse ky fenomen vazhdon në brezin kufitar, mund të sjellë, sipas veterinerëve, transferimin e sëmundjes edhe në Shqipëri.
Sipas burimeve zyrtare urdhëri i ministres së Bujqësisë, Anila Denaj krahas ndalimit të importit të deleve dhe dhive nga Greqia përfshin edhe Rumaninë vendi ku u shfaqën këtë vit rastet e para të murtajës së bagëtive të imta. Murtaja e bagëtive të imta (deleve dhe dhive) që është shfaqur në Greqi, së fundi, është një sëmundje virusale që nuk transmetohet nga bagëtitë tek njerëzit, por dëmton rëndë ekonominë blegtorale.
Sipas shërbimit veterinar shqiptar sëmundja e murtajës tek delet dhe dhitë ka aftësi përhapëse të mëdha dhe bagëtitë e prekura sipas udhëzimit të Bashkimit Europian, duhet të asgjësohen, por nuk ka asnjë rrezik për jetën e njerëzve.
Rasti i parë i murtajës së deleve dhe dhive u regjistrua në 11 korrik në Greqinë qëndrore dhe disa mijë bageti te prekura janë asgjësuar nga autoritetet veterinare në disa zona të Greqisë. Sëmundja e Murtajës së deleve dhe dhive ka qenë endemike për shumë vite në shumë vende të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë ku zbatohen programe vaksinimi për ta kontrolluar atë.
Në Evropë, të dhënat zyrtare i referohen rasteve të murtajës së bagëtive të imta në Gjeorgji në vitin 2016 dhe në Bullgari 2018, ndërsa këtë verë murtaja e bagëtive të imta u shfaq në Rumani dhe më pas edhe në Greqi./ VOA