Kosova
Frikë, pasiguri dhe mungesë furnizimesh në veri të Kosovës
Qytetarët në pjesën veriore të Kosovës kanë nisur të përballen me mungesa barnash, furnizimesh të përditshme e parash në bankomate. Për më tepër, ata janë të shqetësuar edhe për situatën e sigurisë, e cila, siç thonë, mund të përshkallëzojë në përleshje të armatosura.
Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, grupe qytetarësh kanë bllokuar rrugët kryesore qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Prishtinës.
Barrikadat janë ngritur në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, e që shpesh shfrytëzohen nga banorët e kësaj ane për furnizime dhe vizita – qoftë mjekësore apo të tjera.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook se “çdo çast i kaluar nën bllokimin e barrikadave, të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale, është i tepërt”.
Autoritetet në Serbi kanë thënë se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po përgatitet “t’i përndjekë” serbët nga Kosova, por pretendimet e tilla – që nuk janë mbështetur me asnjë provë – janë hedhur poshtë nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë më 13 dhjetor, ka thënë se njerëzit që i kanë ngritur barrikadat, duhet t’i largojnë ato.