Aktualitet
“Frutat dhe perimet me pesticide dhe mishi me salmonelë”/ Çfarë po konsumojmë?

A.Ç., prej disa ditësh gjendet i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, për shkak të helmimit nga ushqimi nga bakteri i salmonelës. I moshuari tregon se helmimi iu shkaktua pasi konsumoi mish pule të gatuar në shtëpi, të cilin e kishte blerë në një prej supermarketeve të qytetit ku banon.
Ndër simptomat e para të shfaqura ishin të vjellat dhe gjendje e humbjes së ndjenjave. I moshuari pohon se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar, ndërsa pret t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrje kirurgjikale.
Mjekët infeksionistë të urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pohuan për “Monitor” se rastet e paraqitjes së pacientëve në urgjencë me “gastroenterit bakterial” (helmimi nga ushqimi i shkaktuar nga baktere të llojeve të ndryshme) janë të shpeshta në çdo periudhë të vitit, veçanërisht në stinën e verës, ku tregtimi i produkteve shtazore dhe frutave e perimeve kërkon më tepër vëmendje.
Rastet me helmim ushqimi, sipas tyre, ndikohen nga disa faktorë, veçanërisht higjienës ushqimore.
Mjekët pohojnë se në këtë periudhë nuk ka tendencë rritëse të rasteve të gastroenteritit bakterial nga salmonela. Ndërsa numri i shtrimeve me “gastroenterit bakterial” arrin 2 deri në 3 pacientë për turn. Shtrimet në spitale, sipas mjekëve, janë më të domosdoshme për rastet kur pacienti ka edhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Ndër simptomat kryesore që gastroenteriti bakterial shfaq te të rriturit janë diarre, dhimbje dhe krampe abdominale, ethe dhe temperaturë mbi 38 gradë Celsius, dhembje koke, të vjella dhe ndjesi të vjelle.
Në vend ka dy laboratorë zyrtarë, që kryejnë analiza të produkteve ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV).
Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në analizat e kryera në laboratorët e të dy institucioneve më së shumti konstatohen raste jo-konform për tregues të higjienës ushqimore krahasuar me ato të sigurisë ushqimore.
Problematikat më të shpeshta sipas ekspertëve, hasen te frutat dhe perimet. “Në laboratorët e AKU-së kryhet një numër shumë i vogël analizash, më tepër fiziko-kimike sesa mikrobiologjike. Ndaj dhe e gjithë barra i bie ISUV, i cili është laborator reference.
Nga analizat më së shumti rezultojnë me probleme fruta-perimet”, pohon Granit Sokolaj, drejtues i qendrës “Alert”, e specializuar për informimin dhe ndërgjegjësimin e konsumatorit për çështjet e sigurisë ushqimore.
AKU dhe ISUV analizojnë mostrat që merren gjatë kryerjes së kontrollit zyrtar. Aktualisht ISUV ka mbi 1,900 teste të akredituara sipas Bashkimit Europian. Ndërkohë, jo vetëm laboratorët e ISUV por edhe të AKU kanë marrë pjesë në teste ndërkombëtare aftësie.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në podcast-in “Monitor Business Plus” pohoi se zbatimi i protokolleve për monitorimin dhe kontrollin e zinxhirit të sigurisë ushqimore në vend, të hartuara në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian garantojnë më së miri tregtimin e sigurt të produkteve.
Zonja Denaj theksoi se shtimi i numrit të analizave të akredituara nga ISUV në mbi 1,900 nga 6 që ishin në 2013, është një ndër investimet kryesore në logjistikë pajisjesh dhe burimesh njerëzore për forcimin e kontrollit te siguria ushqimore.
“Nuk mungojnë as ligjet, as rregulloret, as analizat e kredituara, por shpesh mungon ndjekja me përpikëri absolute e protokolleve prej të gjithëve, si nga fermerët, bizneset dhe punonjësit.
Kjo krijon disa kërcitje që rrezikojnë jetën e konsumatorit, si ato që keni dëgjuar kohët e fundit, dhe kanë ndodhur edhe më parë, por institucionet përgjegjëse kanë marrë masa të menjëhershme.
Qoftë stafi i institucioneve përgjegjëse, fermerët apo bizneset që rrezikojnë mosndjekjen e protokolleve, të gjithë së bashku duhet të kuptojnë se shkelja e tyre nuk është tejkalim i momentit i rregullave, por çështje që rrezikojnë sigurinë ushqimore. Protokollet në fuqi sot të kapin, qoftë edhe me një ditë me vonesë dhe të çojnë përpara drejtësisë”.
Si funksionon sistemi i kontrollit të sigurisë ushqimore nga fidanët e mbjellë e deri te tregtimi,
Siguria ushqimore në vend, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, monitorohet dhe kontrollohet nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).
AKVMB është përgjegjëse për prodhimin bujqësor dhe blegtoral në fermë, me kontrolle që nisin nga fidanët e mbjellë e deri te përdorimi i pesticideve dhe antibiotikëve. AKU është përgjegjëse për sigurinë e të gjitha produkteve ushqimore në treg.
“Gjurmimi i produkteve shtazore dhe i frutave dhe perimeve kërkojnë regjistrimin e fermave bujqësore dhe blegtorale, si dhe aktiviteteve që kryhen në këto ferma. Fermat blegtorale si dhe kafshët që mbarështohen në to janë të regjistruara në regjistrin elektronik RUDA, i cili përditësohet vazhdimisht.
Në qershor 2024 ka filluar regjistrimi i operatorëve profesionistë, të cilët kryejnë aktivitete në lidhje me bimët (mbjelljen, prodhimin, vendosjen në treg). Fermerët kanë detyrimin e plotësimit të regjistrit të përdorimit të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) në fermë, kontrolli i mbajtjes së regjistrit të përdorimit të PMB-ve në fermë kryhet nga AKVMB.
Inspektorët e AKVMB-së kryejnë kontrolle në ferma bujqësore për të vërtetuar se produktet e tyre janë të lira nga sëmundjet dhe dëmtuesit, përdorimi i pesticideve dhe pajisin produktin me certifikatë fitosanitare.
Operatorët e biznesit ushqimor në pikat e grumbullimit kanë detyrimin e regjistrimit në Qendrën Kombëtare Biznesit dhe janë subjekt kontrolli nga inspektoret e ushqimit të AKU-së”, sqaroi Ministria e Bujqësisë për Monitor.
Të dyja institucionet kryejnë kontrolle në të gjithë vendin mbi bazën e një plani kombëtar, të ndërtuar mbi rrezikun që paraqesin produktet ushqimore dhe ato me origjinë shtazore.
“Në kuadër të kontrolleve të mbetjeve të pesticideve, kontaminimit mikrobiologjik në fruta-perime, AKU kryen kontrolle bazuar në Planin Kombëtar të kontrolleve zyrtare me bazë risku dhe të marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore, si dhe planin e marrjes së mostrave në PIK.”, i cili miratohet nga Ministri.
Në këtë kuadër, AKU bashkëpunon ngushtësisht me AKVMB-në jo vetëm për të ndjekur gjurmueshmërinë e produkteve, por edhe për të ndërgjegjësuar fermerët për rëndësinë e mbajtjes së të dhënave në fermën e tyre, për plotësimin e regjistrit të përdorimit të PMB-ve në fermë, si dhe ruajtjen e produkteve nga kontaminimi mikrobiologjik.
AKU në vitin 2023 ka hartuar planin kombëtar të kontrolleve zyrtare bazuar në risk, nëpërmjet një metodologjie të re me asistencën e IPA II “Projekti i Sigurisë Ushqimore”, ku vlerësimi i operatorëve të biznesit, bëhet nëpërmjet profilizimit të riskut sipas një sistemi pikëzimi.
Kontrolli i zbatimit të legjislacionit të sigurisë ushqimore bëhet nëpërmjet kontrolleve zyrtare, monitorimit dhe verifikimit për përmbushjen e kërkesave ligjore nga operatorët e biznesit ushqimor, si dhe marrjes dhe analizimit të mostrave bazuar në vlerësimin e riskut dhe frekuencës së përcaktuar.
Protokollet e përdorura gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve nga AKU janë të njëjta me ato të përdorura nga autoritetet e vendeve të BE-së.
Për kryerjen e kontrollit zyrtar dhe funksionimin e sistemit të kontrollit zyrtar, autoritetet kompetente auditohen në mënyrë të rregullt nga shërbimet e Komisionit Europian”, pohon Ministria e Bujqësisë.
Pengesat që hasen në moskapjen e rasteve me probleme?
Por ekspertët këmbëngulin te forcimi i gjurmueshmërisë, pra zinxhiri që ndjek produktin nga operatori ekonomik që e prodhon e deri te konsumatori. Për drejtuesin e qendrës “Alert”, Granit Sokolaj, në këtë drejtim vijon të mbetet shqetësuese tregtimi i mallrave ushqimorë pa etiketë.
“Sistemi i gjurmueshmërisë në produktet e etiketuar dhe që shiten në mënyrë të ligjshme është i sigurt. Pra, AKU dhe vetë subjektet, në të gjitha rastet e problematikave, mund të gjurmojnë produktin dhe ta heqin nga tregu në raste alert-esh.
Shqetësimi i përhershëm, sidomos me produktet e fruta-perimeve, me mjaltin nga fermerë të vegjël apo dhe vezët me antibiotikë po nga këto ferma, është gjurmueshmëria, pasi në shumë raste nuk gjenden të dhëna fiskale apo dokumente tjera, për të ndjekur problemin deri në origjinë.
Problematike mbeten disa raste, siç e përmenda dhe më lart, produktet nga ferma të vogla si mjalti, vezët e fermave të vogla (kjo nuk duhet ngatërruar me prodhuesit e mëdhenj, me etiketë), vaji i ullirit, pasi mblidhet nga dhjetëra fermerë kokërr e më pas bëhet vaj në një fabrikë, pasi përzihen etj. Kjo ka nxjerrë në pah problematika në lidhje me gjurmueshmërinë.
Pra, pengesa reale në moskapjen e rasteve me probleme apo mospenalizimin e abuzuesve është tregtia e paformalizuar siç duhet.
Megjithatë, edhe shkëputja e zinxhirit, një pjesë të përgjegjësisë AKU, një pjesë AKVMB dhe në rastin e analizave pozitive nga ISUV, komunikimi me shkresa etj., bën që produkti të jetë shitur derisa të kryhet ndërhyrja”, tha zoti Sokolaj.
Problem mbetet edhe informimi i konsumatorit për rastet e produkteve të gjendura në shkelje të normave.
“Fatkeqësisht, komunikimi i riskut për konsumatorët mbetet në nivel shumë të dobët, veçanërisht për rastet e kontrolleve mbi bazë risku, sipas planit vjetor të AKU, për të cilat konsumatorët nuk informohen.
Edhe nëse merren masa për heqjen nga tregu të atyre produkteve, konsumatorët duhet të kenë informacionin e duhur që të mos blejnë X apo Y produkte/lote etj., deri në heqjen nga tregu, apo edhe nëse i kanë blerë, të mos i konsumojnë”, nënvizon zoti Sokolaj.
Sistemi i gjurmueshmërisë mbahet nga operatori i biznesit ushqimor sipas Ministrisë së Bujqësisë. Operatorët e Biznesit Ushqimor (OBU) kanë detyrimin për krijimin e një sistemi gjurmueshmërie për mbajtjen e të dhënave, për të mundësuar identifikimin e çdo personi fizik apo juridik, nga janë furnizuar apo kanë furnizuar.
“Këto të dhëna të mbajtura nga operatori i biznesit ushqimor shërbejnë për të identifikuar se në cilën hallkë të zinxhirit ushqimor ka ndodhur jo-konformiteti.
Sa më mirë të mbahen këto të dhëna nga operatori i biznesit dhe të vihen të plota dhe në kohë në dispozicion të AKU, pengesat në menaxhimin e rasteve jo-konform minimizohen”, pohon Ministria e Bujqësisë.
Ushqimi i nxjerrë në treg ose që mund të nxirret në treg etiketohet për të siguruar gjurmueshmërinë. AKU si institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë luan një rol të rëndësishëm në sistemin e gjurmueshmërisë në vend.
“AKU kryen inspektime të rregullta në OBU dhe tregjet për të siguruar përputhshmërinë me standardet e sigurisë ushqimore.
Kjo përfshin kontrollin e dokumentacionit të gjurmueshmërisë, për të siguruar që çdo produkt mund të gjurmohet nga origjina e deri te konsumatori. AKU, në kuadër të menaxhimit të rrezikut, ndërmerr masa të menjëhershme për të bllokuar dhe për të tërhequr këto produkte nga tregu”, nënvizon më tej Ministria e Bujqësisë.
Përdorimi i pesticideve të ndaluara të fruta-perimet
Në 5 vite, përkatësisht në periudhën 2019 deri në prill 2025, sistemi RASFF i BE-së për kontrollin e sigurisë ushqimore (Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin) ka dhënë 69 raste alarmi për eksportet shqiptare.
Për produktet e eksportit që kanë rezultuar me probleme, janë fruta-perimet, bimët mjekësore dhe produktet e peshkut.
Konkretisht për Shqipërinë nga 69 raste në total të dhënies së alarmit të identifikuara në sistem, rezulton se 26 janë klasifikuar si “serioze”; 9 raste “potencialisht serioze”; 13 me “potencial risku”; 4 prej tyre “ pa risk”; 8 raste “pa vendim” dhe 9 prej tyre “pa risk”.
19 raste të kategorizuara me alarm “serioz”, “potencial risku” dhe “potencialisht serioze” janë për eksportin e fruta-perimeve. 9 prej tyre për bimë mjekësore, erëza dhe 6 prej tyre janë për kategorinë e produkteve të eksportit “peshk dhe produktet e peshkut”, për prani të histaminës mbi kufijtë në vajin e açuges apo për kontroll të dobët të temp të peshkut të ngrirë.
Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, raportimi i rasteve me mbetje pesticidesh në eksport nga sistemi rapid i BE-së vlerësohen të ulëta krahasuar me sasinë e eksporteve.
“Për vitin 2024 janë vetëm 4 ngarkesa të raportuara me mbetje pesticidesh me origjinë nga Shqipëria për 947 ngarkesa të eksportuara. Ndërkohë, për 3-mujorin e parë të vitit 2025, në 354 ngarkesa të eksportuara vetëm një ngarkesë ka rezultuar me mbetje pesticidesh“.
Përdorimi i pesticideve mbi normë është shqetësues për ekspertët, jo vetëm për produktet e eksportit, por edhe për ato që shiten në tregun e brendshëm.
Granit Sokolaj nga qendra “Alert” thotë se shtimi i rasteve të fermerëve që përdorin pesticide mbi normën e lejuar ndikohet nga informaliteti. Problem është edhe mungesa e frekuencës së shpeshtë të kontrolleve te farmacitë veterinare.
“Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) përpiqet të kontrollojë, aq kapacitete njerëzore sa ka, por problem mbetet Shërbimi i Ekstensionit (këshillimit), mbajtja e regjistrit të fermës nga fermerët, apo fakti që edhe kur e mbajnë, nuk reflektojnë në të protokollet siç i kanë ndjekur vërtet.
E sigurisht nuk shkruajnë tek to PMB-të e ndaluara që mund të kenë përdorur.
Kontrolli i farmacive bujqësore mbetet ende një problem shqetësues, për faktin se janë ato që mund të tregtojnë edhe PMB të ndaluara, apo vazhdojnë t’u shesin fermerëve pesticide pa një rekomandim/recetë agronomi. E njëjta gjë dhe për farmacitë veterinare”.
Sipas tij, numri i rasteve të procedimit të fermerëve që përdorin pesticide të ndaluara është i ulët krahasuar me rastet problematike.
“AKVMB deri para një apo dy muajsh nuk ka pasur të drejtën ligjore të inspektimit. Së fundmi kanë nisur dhe penalitetet nga ana e saj në ferma, kur është vënë re moszbatimi i protokolleve. AKU nuk e penalizon dot fermerin, por këtë e kryen nëpërmjet AVKMB“.
Nga ana tjetër, në vitin 2024, Shqipëria ka notifikuar 3 raste me mbetje pesticidesh për produktet e importuara nga vende të BE-së në Shqipëri dhe 8 raste për 3-mujorin e parë të vitit 2025.
Në lidhje me importet drejt Shqipërisë, rastet më të shpeshta janë ato me mbetje pesticidesh për ngarkesa të ardhura kryesisht nga Greqia dhe Italia.
“Këto janë raste të konstatuara nga AKU gjatë kryerjes së kontrollit zyrtar dhe të referuara në RASFF. Raste të tjera janë të veçuara dhe nuk janë raste të përsëritura që të përbëjnë problem për importet dhe menaxhim të këtyre rasteve”, tha Ministria e Bujqësisë.
Si kontrollohet përdorimi i pesticideve
Prej vitit 2022, fermerët janë të detyruar të mbajnë regjistrin e përdorimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, ose siç quhen ndryshe të pesticideve.
Përveç detyrimit për mbajtjen e regjistrit, ata janë të trajnuar dhe orientuar me kalendarët përkatës për kohën e përdorimit të pesticideve, por edhe me ngritjen e farmacive veterinare të licencuara për tregtimin e PBM-ve.
Për ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, masat e marra dhe politikat që zbatohen në mbrojtje të prodhimit vendas i bëjnë të pamundura hapësirat për raste jo konforme.
“Sot fermeri nuk ka asnjë arsye të përdorë pesticide të ndaluara. Lista e pesticideve në 2022 ka nxjerrë jashtë disa prej atyre që më përpara lejoheshin të përdoreshin. Jemi në vitin 2025.
Përse një fermer duhet t’i përdorë ato edhe pse ne i trajnojmë jo vetëm për llojin e përdorimit të pesticideve, por edhe për kalendarin e karencës (kohës së përdorimit). Vetëm në muajin mars u trajnuan 3 mijë fermerë për llojin e pesticideve që duhet të përdorin.
Madje ju është kërkuar të mos i blejnë tek autoritetet përgjegjëse shtetërore, por t’i blejnë në pikat e farmacive bujqësore që kanë detyrimin t’i shesin pesticidet.
Fermerët që tejkalojnë rregullat janë shumë pak, krahasuar me mijëra të tjerë që i zbatojnë. Përse duhet që protokoll i rrëzuar prej disave, të dëmtojë imazhin e Shqipërisë? Çështja nuk duhet relativizuar, por numri i fermerëve dhe bizneseve të ndërgjegjësuara është në rritje shumë të lartë”, veçoi ndër të tjera zonja Denaj.
Vizioni i së ardhmes për sigurinë ushqimore….
Shqipëria është në rrugën e integrimit europian dhe legjislacioni në fushën e sigurisë ushqimore është përgatitur nga përafrimi i acquis së BE-së në këtë fushë dhe është në proces të vazhdueshëm të përgatitjes dhe përditësimit të tij bazuar në përditësimet që legjislacioni i BE-së pëson.
Legjislacioni përgatitet bazuar në Planin Kombëtar të Integrimit Europian për një periudhë trevjeçare dhe rishikohet çdo vit.
Gjithashtu, realizimi i planit të përgatitjes së legjislacionit raportohet në mënyrë të rregullt pranë shërbimeve të Komisionit Europian.
Legjislacioni i sigurisë ushqimore në vetvete përfshin një sërë standardesh prodhimi dhe shërbimi që rriten vazhdimisht për të garantuar një nivel të lartë të sigurisë ushqimore për konsumatorin.
Në këtë kontekst, sipas Ministrisë së Bujqësisë, investimet dhe burimet njerëzore në këtë fushë mbeten ende të nevojshme./MONITOR

