Connect with us

Kosova

Ftesa e Borrelit për takim, Kurti zbulon kur do zhvillohet

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se në fillim të javës së ardhshme do të dalë me një përgjigje sa i përket ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian për një takim urgjent në Bruksel për menaxhimin e krizave.

Kështu deklaroi Kurti pas nderimit që bëri te pllaka në Parkun e të Pagjeturve.

“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesë pikësh. Mirëpo, tash kemi një kërkesë që takimi të jetë javën e ardhshme. Njëherë u tha data 22, pastaj 23 dhe sërish data 22.
Unë do ta diskutojë me ekipin tim dhe me siguri që do të japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, tha Kurti.

Ai më tej shtoi se në këtë dialog është i angazhuar, por tha se ajo çfarë po mungon është sekuencimi për zbatimin e plotë, pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe i aneksit të zbatimit, raporton Telegrafi.

 

 

“Një sekuencim i cili do të ishte i balancuar dhe i drejtë, e që praktikisht është krejt i ndryshëm prej atij çfarë ne na u pat ofruar më 26 prill.

Pra, jemi të përkushtuar, jemi konstruktiv, por nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10…. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar t’i përfshij patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmasa”, tha kryeministri.

Ai po ashtu foli edhe për shkresën që kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ia ka dërguar Serbisë, për të kërkuar hapjen e arkivave që do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës.

“Nga Serbia nuk kemi asnjë përgjigje për letrën të cilën e ka dërguar Hoti për hapjen e arkivave atje në mënyrë që të merret vesh e vërteta dhe të mundësohet drejtësia”, tha ai.

Advertisement