Shkrime
Fundi i hidhur: Pas Trudos, asnjë kryeministër tjetër nuk do ta sfidojë Donald Trump dhe Elon Musk
Kryeministri për gati 10 vite i Kanadasë, Justin Trudo dha dje dorëheqjen nga posti, në një lëvizje që ngjante si një rrufe në qiell të hapur për ata që nuk jetojnë në Kanada, por që në fakt shenjat për stuhinë ishin aty prej kohësh.
Pasditen e djeshme mediat raportuan nga burime se Trudo do të dilte në një konferencë për shtyp për të dhënë dorëheqjen dhe ashtu ndodhi.
“Unë do të jap dorëheqjen si kryetar partie, si kryeministër, pasi partia të zgjedhë liderin e saj të ardhshëm përmes një procesi të fortë, mbarëkombëtar, konkurrues. Mbrëmë i kërkova kryetarit të Partisë Liberale që të fillojë ai proces.” – tha mes të tjerash Trudo në konferencë për mediat.
Në Kanada duket se është fundi i një epoke. Trudo ishte kthyer në një simbol botëror të progresizmit të majtë. Ky progresizëm u shndërrua në modelin që Kanadaja shfaqi përpara botës, dhe Trudo kujdesej shpesh që ta krahasonte atë me këdo që e sfidonte. Një prej tyre Donald Trump dhe amerika që ai përfaqëson.
Nuk kishte asnjë dyshim se një rikthim i Trump do ta shkundte Trudon.
Trump deklaroi se sapo të vinte në pushtet, do ti vendoste tarifa tregtare prej 25% Kanadasë dhe Meksikës, të cilat do ti rëndonin së tepërmi shtetet fqinje të SHBA-së.
Trudo u shpreh se nëse një gjë e tillë do të ndodhte, edhe Kanadaja do ti përgjigjej në mënyrë reciproke. Por ai nuk u mjaftua me kaq. Në stilin e tij prej majtisti progresist, Trudo e piktori Trumpin si njeriun që pengoi dy herë që SHBA-të të kishin një presidente grua.
“Ne supozohej të ishim në një marshim të qëndrueshëm, nëse ndonjëherë të vështirë, drejt përparimit. E megjithatë, vetëm disa javë më parë, Shtetet e Bashkuara votuan për herë të dytë për të mos zgjedhur presidenten e saj të parë grua”, tha Trudo gjatë një fjalimi në një gala në fillim të dhjetorit.
Mbështetja e tij për Kamala Harrisin dhe mosaprovimi i tij për Trump ishte i qartë.
Kjo deklaratë e Trudos ndezi një zjarr reagimesh kundër tij. Elon Musk, njeriu më i pasur i globit dhe aleati i ngushtë i Donald Trump reagoi menjëherë në rrjetin social që e ka në pronësi, X, duke e quajtur Trudon një “mjet të padurueshëm”. Ishte hera e parë që Musk godiste kaq ashpër Trudon, edhe pse në postime të mëparshme të X kishte shfaqur kritika kundrejt tij.
Musk shkoi edhe më tej. “(Trudo) Nuk do të jetë në pushtet edhe për shumë kohë”. Deklarata profetike e multi-miliarderit amerikan rezultoi e vërtetë brenda një muaji.
Ndërsa Musk vazhdoi ta tallte në X në sytë e botës, Trump si president i zgjedhur ushtroi një presion të paprecedentë ndaj tij dhe Kanadasë.
Hidh-e-pritjet për tarifat e detyruan Justin Trudon të merrte rrugën për në Florida për të vizituar Trump tek vila e tij e famshme Mar-a-Lago. Frika e përhapur mes kanadezëve për tarifat e gjigantit amerikan duhej adresuar. Por pasi darkuan bashkë dhe Trudo u rikthye për në Kanada, mesazhi që kishte shpërndarë Trump për të ishte si një goditje nën brez.
“Ishte kënaqësi të darkoja natën që kaloi me Guvernatorin Justin Trudo të Shtetit të Madh të Kanadasë. Mezi pres të shoh sërish Guvernatorin së shpejti, në mënyrë që të vazhdojmë bisedimet tona të thella mbi Tarifat dhe Tregtinë, rezultatet e të cilave do të jenë vërtet spektakolare për të gjithë!” – shkroi Trump në rrjetet sociale.
Për Trump, Trudo ishte tashmë vetëm një guvernator, dhe jo kryeministër i një shteti të pavarur.
Siç e tham edhe në fillim, ç’ka duhet theksuar është se dorëheqja e Trudo nuk është surprizë për këdo që ndjek politikën kanadeze. E vetmja surprizë e vërtetë është shpejtësia e dorëheqjes.
Në thelb, ky është një vendim politik personal. Realiteti është se partia e Trudo ishte e dënuar të pësonte një disfatë të rëndë në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të zhvillohen para fundit të tetorit 2025.
Duke përjashtuar çdo ndryshim të jashtëzakonshëm nga tani deri në ditën e zgjedhjeve, shanset që Partia Liberale e Trudo të fitojë janë pothuajse zero. Ajo është plot 24 pikë poshtë Partisë Konservatore të opozitës.
Justin Trudo qartazi kishte humbur besimin dhe madje edhe admirimin e vendit. Rënia e tij u iniciua nga dorëheqja në dhjetor e Chrystia Freeland, ministrja e tij prej kohësh e financave dhe dikur njeriu i tij i besuar. Kjo dorëheqje ishte në fakt një votë e brendshme mosbesimi, e lidhur me shqetësimet për deficitin në rritje dhe tarifat kërcënuese të Donald Trump.
Prej kohësh kishin nisur ankesat që qytetarët që jetojnë në demokraci bëjnë për të gjithë liderët e tyre: se ata përfaqësojnë një elitë të paprekshme; se ata nuk reagojnë ndaj nevojave ekonomike të njerëzve të zakonshëm; se janë shumë dashamirës ndaj të huajve në dëm të popullsisë vendase. Ishin po këto çështje që dënuan Kamala Harris-in në SHBA.
Në Kanada u krijua perceptimi se çmimet, veçanërisht ato të ushqimit, karburantit dhe banesave, ishin çmendurisht jashtë kontrollit dhe se politika e imigracionit, një pikë krenarie kanadeze, nuk ishte më racionale. Këto e dënuan Trudon. Trumpit iu desh ti jepte vetëm një të shtyrë.
Manual për liderët e tjerë botërorë
Për liderët botërorë që nuk shihen me sy të mirë nga Donald Trump, të shohësh rënien e shpejtë të Justin Trudos është tronditëse.
Aleanca e Trump me Elon Musk, një njeri që s’e ka problem të thotë pa dorashka për çdo ngjarje apo person, pa u kujdesur për etikën publike, i ka bërë qeveritë europiane të përllogarisin se si mund të menaxhohet bosi i Teslas dhe rrjedhimisht Donald Trump-i.
Trump i ka besuar shumë Musk tani. Pasi ky i fundit e ndihmoi të fitonte zgjedhjet, me dalje të forta publike dhe qindra milionë dollarë donacione, Trump e ka mandatuar Musk të shkurtojë buxhetin e stërzmadhuar amerikan. Kjo fuqi e re e Musk duket qartazi, më mirë se brenda SHBA, jashtë saj.
Musk ka treguar se nuk e ka fare problem për të sharë qeveritë në detyrë dhe për të mbështetur lëvizjet opozitare të të djathtës populiste. Dhe këtë po e bën pavarësisht ankesave për ndërhyrje në shtete të huaja.
Kryeministri Keir Starmer i Britanisë së Madhe duket se është tabela e preferuar e qitjes për Musk, tashmë që Trudo ra. Por ai ka kritikuar ashpër edhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, të cilin e ka quajtur “budalla”, dhe ka mbështetur lëvizjet e së djathtës në të dy vendet, “Reform” në Britani dhe “AfD”-në në Gjermani.
Liderë të tjerë europianë janë përpjekur ta marrin Muskun me të mira, me atë që duket si një shpresë për të shmangur një sulm të tijin, siç ndodhi me Trudon, Starmer dhe Scholz, apo edhe për të zbutur marrëdhëniet e tyre komplekse me Donald Trump.
Presidenti francez Emmanuel Makron, edhe pse deklaroi se para një dekade s’mund të imagjinohej që një pronar rrjeti social të ndërhynte në zgjedhje vendesh të tjera, e ftoi bosin e Teslas në rihapjen e katedrales Notre-Dame, dhe e ka ftuar sërish atë në një samit të ardhshëm të teknologjisë.
Kryeministrja italiane Georgia Meloni ka krijuar lidhjen e saj me Musk. Ditën e djeshme, më 6 janar, u tha se qeveria e saj planifikon të paguajë 1.5 miliardë euro Muskun për shërbime të avancuara komunikimi, përmes kompanisë së tij SpaceX. Dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u detyrua të sillej mirë me të gjatë një telefonate paszgjedhore me Trump, pavarësisht mosmarrëveshjeve të forta mes tyre për përgjigjen ndaj pushtimit të Rusisë.
Liderë të tjerë si Presidenti turk Erdogan dhe kryeministrin indian Narendra Modi, gjithashtu shtuan marrëdhëniet e tyre me biznesmenin ndërsa zgjedhjet në SHBA po afroheshin, për të shmangur llojin e trajtimit të ashpër që iu bë kryeministrit kanadez Justin Trudo.
“Ata që kanë investuar (tek Musk) më parë, po vërtetohet se kishin të drejtë.” – vërejti Politico, në një analizë që i bënte sjelljeve të liderëve botërorë me Elon Musk.
Media të ndryshme botërore dhe kryesisht ato amerikanet janë përpjekur të zbërthejnë pushtetin e Musk brenda administratës së re Trump përmes ngjarjeve që ai ose i ka iniciuar, ose i ka shtyrë me influencën që ka në rrjete sociale, biznes dhe politikë. Ndërsa analiza se kush influencon më shumë kë, mes Trump dhe Musk ka gjasa të vazhdojë gjatë, fakti është se sulmet e të dyve mund të përshpejtojnë rënien e kujtdo, siç ishte rasti i Trudos. Menaxhimi i dyshes Trump/Musk qartazi është i vështirë dhe tani duket se asnjë kryeministër apo president tjetër nuk do ti sfidojë ata, ose të paktën nuk dëshiron ti dalë përpara. (Arbër Kaceli)