Connect with us

Bota

Fundi luftës në Ukrainë/ Trump tregohet i prerë: Do të flas së shpejti me Putinin për të pasur një ide më të qartë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se planifikon të zhvillojë një telefonatë me Presidentin rus Vladimir Putin në ditët në vijim për të diskutuar hapat drejt zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë. Të dy udhëheqësit mbajtën një samit në Alaska muajin e kaluar, të cilin e përshkruan si jashtëzakonisht produktiv, megjithëse nuk u njoftua ndonjë përparim i madh.

Duke folur me gazetarët në Uashington të mërkurën, Trump tha: “Do të flas me Putinin shumë shpejt dhe do të kem një ide më të qartë se çfarë do të bëjmë.”

“Ne kemi ndërmarrë tashmë veprime të forta, siç e dini, dhe në mënyra të tjera gjithashtu. Do të flas me të në ditët në vijim dhe do të shohim se çfarë do të dalë prej kësaj”, shtoi ai.

Samiti, i mbajtur më 15 gusht në Anchorage, ishte takimi i parë ballë për ballë midis Putinit dhe Trump që kur presidenti amerikan filloi mandatin e tij të ri në fillim të këtij viti. Bisedimet tre-orëshe shënuan një përparim diplomatik, megjithëse ato nuk prodhuan as një armëpushim dhe as një marrëveshje formale paqeje.

Trump më vonë u takua me presidentin e Ukrainës Volodymyyr Zelensky dhe disa udhëheqës evropianë, duke nxitur bisedime të drejtpërdrejta midis Putinit dhe Kievit. Ai paralajmëroi se mund të vendosë sanksione dhe tarifa si për Moskën ashtu edhe për Kievin nëse nuk arrihet përparim në zgjidhjen e armiqësive.

I pyetur të mërkurën nëse kishte ndonjë mesazh për Putinin, Trump u përgjigj: “Nuk kam asnjë mesazh për Presidentin Putin. Ai e di se ku qëndroj unë dhe do ta marrë vendimin e tij në një mënyrë ose në një tjetër…”

Putin tha të mërkurën se sheh “një dritë në fund të tunelit” në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin. “Do të shohim se si do të zhvillohet situata”, u tha ai gazetarëve në Pekin. Udhëheqësi rus shtoi se është gati ta presë Zelenskyn në Moskë, por vuri në dukje se mandati presidencial i këtij të fundit kishte skaduar prej kohësh dhe tha se kushtetuta ukrainase nuk parashikon asnjë mekanizëm për zgjatjen e pushteteve të tij.

Advertisement