Kronike
Furgoni i kamufluar si mirëmbajtje rrugore, 34-vjeçari: S’kam lidhje me armët, s’di kush i ka futur
NTV.AL siguron foton e furgonit, brenda të cilit u gjetën një arsenal me armë, mijëra fishekë, si dhe pajisje gjurmimi dhe shpërthimi në distancë.
Gazetari yne raporton se policia e kishte ruajtur furgonin e parkuar prej më shumë se një muaji në rrugën “Myslym Shyri”. Në pranga u vu pronari i furgonit, 34-vjeçari Eugert Sino, ndërsa në kërkim u shpallën dy të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.
Në fillim ka ndërhyrë Policia Rrugore, si pjesë e një manovre të agjentëve, me argumentin se automjeti kishte bllokuar rrugën. Pas konstatimit të armëve, ndërhyrja është vijuar nga agjentët e krimeve. Furgoni kishte mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, që dyshohet se ishte përdorur si kamuflim nga trafikantët.
I arrestuari Sino, i cili rezulton edhe person me precedent të mëparshëm për vepra penale të ndryshme, ka mohuar çdo lidhje me armët, duke deklaruar se nuk ka dijeni se kush i ka vendosur ato në furgon.
Armët e kapura dyshohet se janë trafikuar nga Kosova. Ata dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale dhe i përkisnin një grupi me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Pranë vendit ku ishte furgoni, policia zbuloi edhe bazën kryesore të grupit, , ku mbaheshin armët.
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Lajm në përditësim…
Sekuestrimi i arsenalit të armëve në Tiranë, Proda: Një operacion i suksesshëm që tregon profesionalizmin Policisë së Shtetit për të goditur krimin
Foto:Ilir Proda
Në përfundim të operacionit policor të koduar “The Van”, të finalizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u zbulua dhe u godit një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda ka falënderuar drejtuesit dhe strukturat e DVP Tiranë për finalizimin me sukses të operacionit, si dhe për punën shumë të mirë dhe profesionale në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve që mund të përdoreshin për kryerjen e krimeve kundër jetës dhe pronës.
“Ky është një tjetër operacion i suksesshëm që tregon profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të goditur krimin dhe garantuar sigurinë e qytetarëve. Armët prodhojnë krim, çdo armë e paligjshme është një rrezik real për jetën e qytetarëve dhe për rendin publik.
Falënderoj drejtuesit e DVP Tiranë dhe të gjithë efektivët që punuan me përkushtim dhe profesionalizëm duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale që do të kryheshin me këtë arsenal armësh.
Policia e Shtetit nuk do të ndalet asnjë ditë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve, pasi çdo armë e paligjshme është një potencial për krim. Iu bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin punën e Policisë së Shtetit, duke bashkëpunuar dhe duke denoncuar çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike.
Çdo informacion që ndihmon Policinë për parandalimin apo goditjen e krimeve është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e përbashkët. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndershëm dhe besimit të ndërsjellë mes Policisë dhe qytetarëve mund të ndërtojmë një mjedis akoma e më të sigurtë për të gjithë”, tha Proda.
Gjatë operacionit “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri (prej të cilave 5 snajperë), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Iu gjet një furgon i mbushur me armë, Eugert Sino: Nuk kam lidhje, s’e di kush i ka vendosur brenda tij
Gazetari yne jep më tepër detaje lidhur me arsenalin e armëve që u gjetën brenda një furgoni, që kishte prej një muaji në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Fillimisht ka ndërhyrë Policia Rrugore, si pjesë e një manovre të agjentëve, me argumentin se automjeti kishte bllokuar rrugën.
Pas konstatimit të armëve, ndërhyrja është vijuar nga agjentët e krimeve. Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, që dyshohet se ishte përdorur si kamuflim nga trafikantët, është në pronësi të të arrestuarit Eugert Sino.
Ky i fundit, i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia, ka mohuar çdo lidhje me armët, duke deklaruar se nuk ka dijeni se kush i ka vendosur ato në furgon, i cili, sipas tij, ka qëndruar i parkuar pranë banesës së tij.