Connect with us

Aktualitet

Futet në “41-bis” i dënuari i rrezikshëm, vrau 4 policët në 1997-ën

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se i burgosuri me burgim të përjetshëm, Fran Marashi është vendosur në Regjimin e Posaçëm “41-bis”. Sipas njoftimit të “Burgjeve” Marashi do të qëndrojë në izolim në burgun e sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë 1-vjeçare. Kjo sepse, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve

Më datë 13 dhjetor 2024, me Urdhrin nr. 620 të Ministrit të Drejtësisë, i burgosuri Fran Marashi, i biri i Pal dhe i Dile, i datëlindjes 19 shkurt 1978, lindur dhe banues në Shkodër, është vendosur në Regjim të Posaçëm “41-bis” në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë njëvjeçare.

Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas vendimit nr. 31, datë 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë: – Pjesëmarrje në banda të armatosura; – Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste); – Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste); – Vrasje me dashje; – Heqje e paligjshme e lirisë

Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”. Këto janë parashikuar nga nenet 323/1, 25, 278/2, 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal. Nga të dhënat rezulton se i burgosuri ka shkelje të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucion. Ai përbën rrezik të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit. Regjimi i posaçëm “41-bis” zbatohet ndaj individëve që kanë kryer vepra të rënda penale në kuadër të organizatave kriminale, terroriste apo bandave të armatosura dhe që përbëjnë rrezik të lartë shoqëror. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e përkushtuar në zbatimin rigoroz të masave për të garantuar sigurinë dhe për të luftuar veprimtarinë kriminale brenda institucioneve penitenciare. 

Fran Marashi akuzohet për ngjarjen e datës 17 qershor 1997, ku u vranë katër punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e Policisë së Shtetit po ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Dëshmitarët okularë kanë dëshmuar në gjyq se mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse nga Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank.

Advertisement