Aktualitet
“Future Of Food”/ Ushqimet, Europa bën blerje nisur nga kostot, shqiptarët nga shija
Përgjithësisht europianët kur blejnë ushqim, nisen nga çmimet, duke i kushtuar rëndësi kostos, ndërsa shqiptarët, si në Shqipëri edhe në Kosovë, në një mase të madhe kur blejnë ushqim, udhëhiqen nga shija.
Vetëm 40% dhe 36% e shtetasve nga Shqipëria dhe Kosova përkatësisht e kanë koston si kriterin kryesor, ndërsa për shtetet e tjera të Europës Lindore, ky tregues varion nga 50 në 75%.
Qytetarët luajnë rol të rëndësishëm në ndryshimin e mënyrës së sistemeve tona ushqimore. Prandaj qëndrimet dhe perceptimet e tyre janë të rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe preferencat e ushqimit.
Anketa online në vendet në zhvillim të Europës që u krye në periudhën 15 dhjetor 2022 – 16 janari 2023, tregoi se kur blihet ushqim, 53% e konsumatorëve në vendet në zhvillim të Europës nisën nga kosto, 34% nga shija dhe 30% nga vlerat shëndetësore.
Këta janë tre faktorët kryesorë ndikues te konsumatorët e vendeve në zhvillim të Europës.
Pothuajse një në tre persona konsideron sigurinë e ushqimit të rëndësishme (27%). Ushqimet organike, ndikimi mjedisor, pak ose aspak pesticide, përpunim i ulët, origjina gjeografike janë faktorë të tjerë të rëndësishëm ndërmjet 8 dhe 12%.
Megjithëse kostoja është shtytësi kryesor që ndikon te konsumatori blerjen e ushqimit, po ka disa variacione në varësi të vendeve.
Pothuajse në çdo vend, kostoja është faktori që dominon në blerje, shumë mbi mesataren në Lituani p.sh. 75% e të anketuarve thonë kostoja është kriteri më i rëndësishëm kur blejnë ushqim.
Ndër të gjitha vendet, vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, shija konsiderohet të jetë më e rëndësishme.
Studimi tregon se prirja për t’u nisur nga kosto ndryshon sipas nivelit të arsimit. P.sh. njerëzit e arsimuar balancojnë koston me përzgjedhjen e ushqimeve të shëndetshme.
Prirja për të blerë dhe për të konsumuar ushqim me preferencë shijen ulet ndjeshëm, ndërsa njerëzit rriten dhe merr rëndësi gjithnjë e më shumë cilësia e ushqimeve, nëse janë të shëndetshme kanë apo nuk kanë pesticide etj.
Gjithashtu, Shqipëria u shqua ndër vendet europiane në Zhvillim për larmishmërinë e ushqimit të konsumuar. Lituania (54%) dhe Shqipëria (53 %), kishin përqindjen më të lartë të njerëzve që i kushtojnë rëndësi shumëllojshmërisë së ushqimit./MONITOR