Bota
G7, marrëveshje për tavan maksimal të çmimit për blerjet e naftës ruse
G7, marrëveshje për vendosjen e një tavani maksimal të çmimit për blerjet e naftës ruse
Vendet e G7 kanë arritur një marrëveshje për të vendosur një tavan çmimi për blerjet e naftës ruse dhe për të kufizuar të ardhurat e Kremlinit nga eksportet. Megjithatë, që masa të jetë plotësisht efektive, do të duhej mbështetja e vendeve të treta që blejnë sasi të mëdha nafte ruse, si përshembull India.
Rusia përsërit refuzimin e saj për t’i shitur naftë çdo vendi që miraton një mekanizëm kufizues të çmimit.
“Një kufi mbi çmimin e naftës, siç propozohet nga shtetet e G7, do të shkaktojë një destabilizim të tregjeve të energjisë dhe do ta shtyjë Moskën të shesë naftën e saj të papërpunuar diku tjetër,” tha zëdhënësi i Kremlinit Peskov.
Edhe Komisioni Evropian po kërkon të vendosë kufizim te çmimit të gazit rus.
“Putini preferon të djegë gaz të eter në vend që ta dërgojë sipas kontratave të përcaktuara në Evropë apo në rajone të tjera. Unë besoj fuqimisht se ka ardhur koha për të vendosur një çmim maksimal për gazin rus që vjen në Evropë”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Bashkimi Europian tani duhet të vendosë një kufi çmimi për gazin rus për të ndaluar përpjekjet për të manipuluar tregun e energjisë.
Hapja ndaj kësaj mundësie, e cila në çdo rast duhet të vendoset nga shtetet që përbëjnë Bashkimin Europian vjen në një kohë kur kërkesat për vendosjen e kufizimeve të çmimeve për importet e energjisë nga Rusia janë duke u shumëfishuar.
BE-ja bashkë me G7, tani po synojnë një koalicion të madh të vendeve që duan kufi mbi çmimin e naftës.
Dëshira për të vendosur një kufi çmimi po shfaqet edhe te ata që prodhojnë energji elektrike jo nga gazi, por nëpërmjet burimeve të rinovueshme apo energjisë bërthamore.
Një hipotezë tjetër është reduktimi i kërkesës për energji elektrike në mënyrë të koordinuar, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Që kjo të funksionojë, Shtetet anëtare të BE duhet të përcaktojnë objektiva kombëtare kursimesh. Këto propozime janë pjesë e atyre “ndërhyrjeve emergjente” që ministrat e energjisë të Unionit do të diskutojnë më 9 shtator.