Shkrime
Gabimi i Vuçiç i dha Kosovës prova të qarta dhe karta politike, tani varet si do t’i luaj
Nga Endri Tafani
Vuçiç gaboi. Provokimi nuk i eci siç e kishte menduar. Mbase reagimi i shpejtë dhe me sukses i Policisë së Kosovës i prishi planin. I gjetur në pozicion të keq fajtori iu deshën shumë orë para se të dilte në TV ku filloi direkt lojën e vjetër të politikës serbe,
E para “bërjen e viktimës”. U ankua për nxitje konflikti nga shqiptarët, spastrim etnik të serbëve në Kosovë nga shqiptarët në bashkëpunim me segmente të komunitetit ndërkombëtar e të tjera gënjeshtra si këto.
E dyta “lojën e aleancave”. Takoi direkt ambasadorin rus, si për t’i kujtuar Europes që nëse nuk më bëni qejfin dhe të më merrni me të mirë ja ku e kam rusin.
E treta “lojën e kërcënimit”. Afroi të nesërmen në mëngjes trupa ushtarake në kufi me Kosovën. Kjo është një lëvizje tipike që tashmë BE dhe SHBA të merren me kërkesën e çtensionimit të situates dhe sulmi terrorist në Kosovë të kalojë në plan të dytë.
Albin Kurtit i erdhi fati në dorë. I ndodhur nën presion nga BE dhe SHBA si nxitës dhe fajtor i konflikteve në veri, sulmi terrorist tregoi që e vërteta ishte ndryshe. Tashmë Kurti mund të shkojë në takim duke u treguar aleatëve fotot e armatimeve të shumta e t’u thotë që ndërkohë që ne uleshim në tryezë për bisedime Vuçiç fuste armë në Kosovë duke vërtetuar mungesën e sinqeritetit, lojën e ndyre pas krahëve të Serbisë dhe faktin që për Serbinë këto bisedime ishin fallso pasi nuk kishte ndërmend të njihte Kosovën por ta sulmonte ushtarakisht atë. Fakti që terroristët e arrestuar ishin shtetas serbe e përforcon me tepër këtë gjë.
Për më tepër, Kurti mund të përmendë në takimet me ndërkombëtarët faktin që Lista Serbe nuk reagoi fare ndaj sulmit terrorist. Ky është një fakt i rëndë sepse tregon qartë mungesën e luajalitetit të Listës Serbe ndaj organeve shtetërore të Kosovës, por tregon dhe faktin që më heshtjen e saj Lista Serbe tregon që po tu jepet serbëve një asosacion në Kosovë i ngjashëm në fuqi e pushtete me atë të Bosnjës, është hap i qartë për një mosfunksionim siç duhet i shtetit të Kosovës dhe një konflikt të mundshëm civil brenda në Kosovë në të ardhmen. Për këtë arsye një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. Kurti i ka në dorë këto karta dhe duhet t’i luajë mirë.
Për sa i përket Ramës. Thirrja e tij për një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën eshte totalisht e gabuar nga ana taktike dhe strategjike. E para sepse në këto momente Serbia ndodhet në pozicion të vështirë në opinionin ndërkombëtar pas sulmit terrorist në Kosovë. Duhet insistuar në këtë pikë dhe jo të nisesh diçka të re nga fillimi duke ia lehtësuar pozicionin asaj. E dyta sepse një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën është një regres në pozicion për Kosovën si shtet i pavarur, ku shtete të tjera do diskutojnë për pozicionin e saj në botë. E treta sepse në një Konferencë Ndërkombëtare do kesh dhe shtete si Rusia apo Kina, shtete që kanë peshë të rëndë diplomatike e që janë aleate të hapura të Serbisë, ndërkohë që për momentin ke një proces dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE dhe SHBA që janë vende aleate. Për këto arsye propozimi i Ramës është totalisht i gabuar dhe me pasoja të rënda.
Gjithashtu reagimi i Ramës ndaj sulmit terrorist ishte i vakët dhe neutral sikur Shqipëria të ishte Zvicra. Kjo mbase mund të lidhet me faktin që duke e lidhur me propozimin e tij për Konferencë Ndërkombëtare, Rama do të dalë në rolin e një personi që zgjidh situatën një “deal maker”. Por ka shume mundësi dhe që të lidhet me faktin e këtyre egove të sëmura shqiptare kush je ti e kush jam unë, hatër mbetjeve dhe sulmeve personale që nuk kanë munguar nga dy anët e kufirit. Në fakt dhe reagimi i Maqedonisë së Veriut ishte i vakët me gjithë rolin e rëndësishëm që kanë shqiptarët në qeveri. Për ata që e mbajnë mend ka patur një përplasje dhe pakënaqësi të Partive politike shqiptare atje ndaj Albin Kurtit që e akuzuan që fuste hundët ne politiken e brendshme, akuza që u bënë publike gjatë një vizite jozyrtare të Albin Kurtit atje para ca kohesh. Nga kjo ego e sëmurë shqiptarët duhet të heqin dorë. Konferencat e shtypit duke u ankuar për njëri tjetrin është mirë të ndalojnë pasi nuk të çojnë asgjëkund. Është mirë të ulen të gjithë bashkë è të bëjnë paqe e koordinim. Të sillen si burra e jo si fëmijë të llastuar.
Duhet kuptuar dhe diçka tjetër. Pas mbështetjes për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, pozicioni i BE dhe SHBA ka rrëshqitur pak në drejtim të zbutjes së Serbisë. Marrëveshja e Brukselit në 2013, Anekset e saj në 2015, Gjykata Speciale në Kosovë e krijuar në 2016, gjykimi e rigjykim e figurave të UÇK pavarsisht se dolën të pafajshëm herën e parë në Hagë, janë të gjitha hapa që tregojnë një lëshim të vazhdueshëm ndaj Serbisë nga ana e Perëndimit.
Tani shqiptarët kanë rastin e artë per tu demonstruar aleatëve që gjithë këto lëshime nuk kanë çuar asgjëkund në zgjidhje të situatës me Kosovën, përkundrazi kanë çuar në një harresë dhe retushim të gjenocid eve të bëra nga shteti serb në ish Jugosllavi, në një fryrje të egos së sëmurë nacionaliste serbe, ne nxitje konflikti në Bosnjë dhe sulme terroriste në Kosovë.
Gabimi i Vuçiç na ka dhënë në dorë dhe prova të qarta dhe karta politike për këtë gjë.
Varet si do i lozim