Connect with us

Politike

Galdini: Berisha ‘burrë shtëpie’, kërkon revolucion me 50 veta

Seanca në GJKKO për caktimin e arrestit shtëpiak për Sali Berishën duket se po kthehet në një ‘maratonë’ procesesh gjyqësore pasi edhe ditën e sotme u shty pas kërkesës së dytë të avokatëve të Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka pasi u shty sërish për ditën e nesërme (28 dhjetor). Teksa një gjë e tillë shihet si mbrojtje e mirë e avokatëve të Berishës sa i takon anës proceduriale, politikisht nuk shihet në të njëjtën mënyrë. Kreu i Lëvizjes së Re, Arian Galdini tha se me këto zvarritje, Berisha po kthehet nga burrë shteti në ‘burrë shtëpie’. Galdini tha se Berisha po rrëzonte imazhin që kishte ndërtuar më herët si person që nuk trembej para asgjëje.
“Ka veshur kostumin e Bashës por ka vënë kollaren e Bardhit. Procedurialisht nuk është gjë e keqe të veprosh. Ai kishte krijuar standartin e njeriut Kreshnik. Por ja që tani po përdor avokatët. Shumë mirë që i përdor procedurialisht. Antropoligjikisht po gabon me imazhin që ka ndërtuar. Do bënte sens nëse do hiqte dorë vullnetarisht nga imuniteti. Berisha me revolucionin e vetë me 50 veta kërkon të shpëtojë nga burrë shteti në burrë shtëpie”- u shpreh Galdini.

I të njëjtës linjë mendimi, ka qenë edhe ish-kreu i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi i cili tha se si politikan Berisha duhej të kishte hequr vetë dorë nga imuniteti i deputetit dhe jo të priste vendimin e Kuvendit. Duke e analizuar veprimet e Berishës, Elezli tha se kreu i Rithemelimit po tregon se nuk i intereson të rritet në popull por të mbajë më shpresë ato pak mbështetës që i kanë mbetur.

“Sjellja që i rekomandon avokati mund të jetë e saktë në aspektin e tij, por ajo e politikanit është gjë tjetër. Berisha duhet të jepte vetë dorëheqjen nga imuniteti, kjo do ishte sjellë si politikan. Nuk mund të sillet kështu duke u kapur pas procedurave. Sepse po ndodhi kështu, dije se ai politikan ka problem. Kjo sjellje e Berishës tregon se është i kënaqur me situatën, mban të karikuar vetëm njerëzit e vetë por si politikan në popull ka humbur shumë pikë. Ai nuk ka interes të rrisë pjesën e vetë por vetëm ta mbajë dhe ta përdorë si mburojë”- tha Elezi.

Ndërsa sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Rezart Kthupi tha se ekziston mundësia që edhe seanca e caktuar për ditën e nesërme në orën 15:00 për ‘arrestin shtëpiak’ të Berishës të shtyhet duke parë rrugën që po ndjekin avokatët e ish-kryeministrit.

Advertisement