Connect with us

Bota

Gaza e vitit 2026, sërish mes armëpushimit të brishtë dhe krizës humanitare rraskapitëse

Më shumë se 70 mijë palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e fushatës ushtarake izraelite në Gaza dhe viti 2025 është regjistruar si një nga më të errëtit për Rripin e Gazës.

2025-a e ka kthyer konfliktin izraelito-palestinez jo vetëm si një luftë të vazhdueshme ushtarake, por si një krizë të thellë humanitare, politike dhe morale.

Një konflikt ky, me pasoja afatgjata për gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Pas më shumë se një viti e gjysmë luftimesh që nisën në tetor 2023, Gaza hyri në vitin 2025 e rraskapitur: me infrastrukturë të shkatërruar, shërbime bazë pothuajse inekzistente dhe një popullsi civile që mbijetonte në kushte ekstreme.

Shpresat për de-eskalim u ringjallën përkohësisht në fillim të vitit, por u shuan shpejt, duke i lënë vendin një cikli të ri dhune.

Dështimi i diplomacisë

Janari 2025 nisi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të, i cili u perceptua si një mundësi reale për ndalimin e luftimeve dhe hapjen e një procesi politik.

Marrëveshja përfshinte ndërprerje të përkohshme të zjarrit, shkëmbime pengjesh dhe hyrje të kufizuar të ndihmave humanitare në Gaza.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti dhe Katari u raportua asokohe nga mediat ndërkombëtare si “një pauzë e rrallë në një luftë të pamëshirshme”.

Megjithatë, armëpushimi rezultoi i brishtë dhe i paqëndrueshëm.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza bëri me dije se të paktën 81 njerëz ishin vrarë në territorin palestinez në 24 orët e fundit, gjatë së cilës u njoftua marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.

Për disa javë, bombardimet u ndalën dhe ndihmat hynë në sasi të kufizuara. Por raportimet në terren theksonin se infrastruktura ishte tashmë e shkatërruar dhe armëpushimi mbetej jashtëzakonisht i brishtë.

Madje, fjalët e Presidentit amerikan, Donald Trump, do t’i paraprinin asaj që do të ndodhte më pas. Ai deklaroi se nuk ishte “i sigurt” se armëpushimi i Gazës do të zbatohej.

“Kjo nuk është lufta jonë, kjo është lufta e tyre. Por unë nuk kam besim”, tha ai, duke shtuar megjithatë se ai e pa Hamas-in “të dobësuar” që nga fillimi i luftës i shkaktuar nga sulmi i tij i paprecedentë në tokën izraelite më 7 tetor 2023.

Kështu, negociatat për fazën e dytë u bllokuan, akuzat reciproke për shkelje u shtuan dhe tensionet në terren mbetën të larta, suke i lënë vendin zotimeve të Kryeministrit izraelit për rifillimin e luftës.

Në mars, marrëveshja u shemb plotësisht.

Rinisja e luftës dhe përshkallëzimi ushtarak

Nga mesi i marsit 2025, Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake, me sulme ajrore intensive dhe operacione tokësore në veri, qendër dhe jug të Gazës.

Më 18 mars, të paktën 342 palestinezë u vranë ndërsa Izraeli nisi një sulm masiv në Gaza, duke shkatërruar armëpushimin e brishtë dy-mujor me Hamas-in. Sulmi ndodhi në të gjithë Gazën, duke përfshirë Khan Younis dhe Rafah-un në Gazën jugore, qytetin e Gazës në veri dhe zonat qendrore si Deir el-Balah.

Zonat urbane, kampet e refugjatëve dhe infrastrukturat kritike u goditën rëndë, ndërsa numri i viktimave civile u rrit ndjeshëm. Izraeli deklaroi se po synonte strukturat e Hamasit, ndërsa autoritetet shëndetësore në Gaza raportuan dhjetëra civilë të vrarë brenda pak ditësh.

Pranvera e vitit 2025 u karakterizua nga operacione tokësore të zgjeruara duke e kthyer Gazën në “një territor të copëzuar”, ku lëvizja e civilëve ishte pothuajse e pamundur. Sulmet vërshuan në zona me densitet të lartë civil dhe kampet e refugjatëve, duke rritur kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit.

Në këtë periudhë, organizatat për të drejtat e njeriut ngritën shqetësime serioze për proporcionalitetin e forcës dhe mbrojtjen e civilëve.

Kështu, pranvera dhe vera e 2025-ës u karakterizuan nga operacione të gjera tokësore, përfshirë ofensiva të mëdha në Beit Hanoun dhe Deir al-Balah.

Luftimet urbane, bombardimet e dendura dhe zhvendosjet masive e shndërruan Gazën në një territor të fragmentuar, ku lëvizja e civilëve ishte pothuajse e pamundur.

Benjamin Netanyahu ka deklaruar në muajin maj se një ofensivë në Gaza do të jetë një operacion ushtarak intensiv që synon mposhtjen e Hamasit.

“Popullsia do të zhvendoset, për mbrojtjen e saj”, ka shtuar Netanyahu në atë kohë në një video të postuar në X.

Gaza nuk mundte të numëronte më as të vdekurit. Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në veri të Rripit, në Jabalia dhe në qendër, në Khan Younis, ku IDF beson se udhëheqësit e Hamasit, përfshirë vëllain e Sinwar, po takoheshin. Sulme që u kthyen në masakër.

Teksa lufta intensifikohej, kriza humanitare arriti nivele katastrofike.

Spitalet funksiononin pjesërisht ose ishin jashtë shërbimit, mungesa e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore ishte kritike, ndërsa sistemi shëndetësor praktikisht u shemb.

OKB dhe organizatat humanitare raportuan rritje alarmante të kequshqyerjes, veçanërisht te fëmijët; mungesë të ujit të pijshëm dhe shpërthime sëmundjesh; ndërprerje të plotë ose të pjesshme të arsimit për qindra mijëra fëmijë; dhe për një popullsi që varej pothuajse tërësisht nga ndihmat emergjente.

Gaza përjetoi edhe një krizë energjetike totale, duke e bërë jetën e përditshme edhe më të pamundur, sidomos gjatë muajve të nxehtë të verës.

Qershori shënoi një pikë kthese humanitare. Gaza përjetoi ndërprerje pothuajse totale të energjisë elektrike, mungesë uji të pijshëm dhe shpërthime sëmundjesh. Më shumë se 500 ditë pa energji elektrike. Nuk është thjesht një numër: ishin 500 ditë errësirë, qirinj që u dogjën  deri në fitilin e fundit.

Që në momentin e parë të luftës, Gaza është zhytur në errësirë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se shumë spitale funksiononin pa anestezi, pa ilaçe dhe pa energji të qëndrueshme.

Egjipti lejoi hapjen e kufizuar të kalimit Rafah për raste emergjente, por ndihma mbeti e pamjaftueshme.

Vera u dominua nga ofensiva e Beit Hanoun dhe operacionet në Deir al-Balah – një fazë kjo e përshkruar si “një nga më intensive të luftës”, me luftime urbane, bombardime të vazhdueshme dhe zhvendosje masive të popullsisë.

Qindra mijëra civilë u detyruan të largohen drejt jugut, duke jetuar në kushte ekstreme, shpesh pa ushqim, ujë apo strehë.

Mirëpo, ishte Trump ai që paralajmëroi në qershor se kishte “përparim të madh” në negociatat për armëpushimin në Gaza.

“Po bëhet përparim i madh në Gaza”, tha Trump në margjinat e një samiti të NATO-s në Holandë, duke shtuar se i dërguari i tij special Steve Witkoff i kishte thënë se “Gaza ishte shumë afër” një zgjidhjeje.

Po ashtu Netanyahu në gusht, duke folur në një ceremoni për të përuruar Muzeun e Knesset-it në Jerusalem, tha se Izraeli po “i afrohej fundit të fushatës” kundër atyre që kërkuan ta shkatërronin atë.

“Pikërisht gjatë këtyre ditëve kur po arrihen fitore të mëdha kundër atyre që erdhën për të na shkatërruar, kur qëndrojmë para fundit të fushatës dhe punojmë për të mposhtur mbetjet e boshtit iranian dhe për të liruar të gjithë pengjet tona, ne jemi këtu duke festuar faktin e ekzistencës dhe pavarësisë sonë në zemër të kryeqytetit tonë të përjetshëm, Jerusalemit”.

Gjatë vitit 2025, presioni diplomatik ndërkombëtar ndaj Izraelit u rrit, veçanërisht për shkak të numrit të lartë të viktimave civile dhe shkatërrimit masiv të infrastrukturës.

OKB, organizata për të drejtat e njeriut dhe disa qeveri perëndimore kërkuan hetime për shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Megjithatë, përpjekjet diplomatike dështuan të prodhonin një zgjidhje të qëndrueshme politike. Gaza mbeti e izoluar, ndërsa debati për administrimin e saj pas luftës mbeti i pazgjidhur.

Një qetësi e pasigurt

Në shtator, OKB paralajmëroi për rrezik urie në shkallë të gjerë. Më shumë se gjysma e popullsisë varej tërësisht nga ndihma humanitare, ndërsa sistemi arsimor ishte praktikisht i shkatërruar.

Në qytete të mëdha botërore shpërthyen protesta masive pro armëpushimit dhe mbrojtjes së civilëve.

Muajin pasardhës, pas muajsh presioni ndërkombëtar dhe rraskapitjeje ushtarake, u arrit armëpushimi.

Një armëpushim për të cilin, Trump ka deklaruar së fundmi se “asgjë” nuk do të mundë ta kompromentojë, edhe pas sulmeve izraelite të fundit në territorin palestinez, duke thënë se Izraeli do të duhej të “hakmerrej” nëse ushtarët e tij vriteshin.

“Ata vranë një ushtar izraelit. Pra, izraelitët po kundërsulmojnë. Dhe ata duhet të kundërsulmojnë”, u tha presidenti amerikan gazetarëve në bordin e aeroplanit të tij Air Force One.

Në tetor, me arritjen e armëpushimit, luftimet në shkallë të gjerë u ndalën, por pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike.

Qetësia që pasoi ishte relative dhe e pasigurt. Hamasi ruajti kontrollin e brendshëm, ndërsa Izraeli mbeti i pranishëm indirekt përmes bllokadës dhe kontrollit të kufijve.

Sakaq, OKB nisi vlerësimin e dëmeve, të cilat u përshkruan si shkatërrime në shkallë të paprecedentë.

Në fund të vitit, Gaza hyri në dimër me një krizë humanitare ende të pazgjidhur, mijëra familje pa strehë dhe një shoqëri të traumatizuar thellë.

Përpjekjet për të rikthyer një minimum jete sociale dhe komunitare u përballën me mungesë burimesh dhe pasiguri të vazhdueshme.

Ditë më parë, Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se Gaza nuk klasifikohet më si zonë në zi urie, falë rritjes së dërgesave humanitare pas armëpushimit, por kanë paralajmëruar se situata ushqimore dhe humanitare mbetet jashtëzakonisht e rëndë.

Sipas vlerësimit të fundit të iniciativës Integrated Food Security Phase Classification (IPC), pothuajse një në tetë banorë të Gazës vazhdon të përballet me mungesa ushqimore.

OKB thekson se uria e vazhdueshme është përkeqësuar nga përmbytjet dimërore dhe temperaturat e ulëta, ndërsa shumica e popullsisë jeton në tenda ose strehime të papërshtatshme, pasi infrastruktura civile dhe banesat janë shkatërruar gjatë luftës dyvjeçare.

Ndërkohë 67 gazetarë janë vrarë gjatë ushtrimit të profesionit ose për shkak të tij nga 1 dhjetori 2024 deri më 1 dhjetor 2025, referuar raportit vjetor të Reporterëve pa Kufij (RSF).

Pothuajse gjysma e viktimave humbën jetën në Rripin e Gazës “nën zjarrin e forcave të armatosura izraelite”.

“Ky është rezultati i urrejtjes ndaj gazetarëve dhe i pandëshkueshmërisë”, deklaroi për AFP drejtoresha editoriale e RSF-së, Anne Bocandé.

Sipas RSF-së, rritja e numrit të gazetarëve të vrarë lidhet me praktikat e forcave të rregullta ose jo të rregullta në zona konflikti, si dhe me aktivitetin e krimit të organizuar.

Megjithatë Netanyahu ka thënë se një fazë e dytë e planit të ndërmjetësuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës në Gaza është afër – por se çështjet kryesore ende duhet të zgjidhen.

Sipas fazës së dytë të planit të Presidentit Trump, Izraeli duhet të tërheqë trupat e tij më tej nga Gaza, ndërsa ngrihet një autoritet kalimtar dhe vendoset një forcë ndërkombëtare sigurie. Hamasi pritet të çarmatoset dhe të fillojë rindërtimi

Viti 2025 e konfirmoi se lufta në Gaza nuk ishte thjesht një konflikt ushtarak, por një krizë strukturore e pazgjidhur, ku armëpushimet mbetën të përkohshme dhe civilët vazhduan të paguajnë çmimin më të lartë.

Me dhjetëra mijëra viktima, shkatërrim masiv dhe pa një horizont të qartë paqeje, Gaza e mbylli vitin 2025 në një gjendje mbijetese, ndërsa komuniteti ndërkombëtar u përball me pyetjen thelbësore:

Sa gjatë mund të vazhdojë kjo tragjedi pa një zgjidhje reale politike?

Advertisement