Connect with us

Politike

Gazment Bardhi i përgjigjet ministrit të Brendshëm: Ushtar i Ergys Agasit, kriminel

Pas protestës së opozitës kanë qenë disa reagime politike. Nga mazhoranca ishte ministri i Brendshëm Ervin Hoxha që vizitoi policët e lënduar në spital. Ai nuk i kurseu shigjetimet për opozitën.

“Sot ata kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme. U bllokua deri edhe rruga e autoambulancës, apo u sulmua si kurrë në ndonjë vend demokratik selia e një partie politike kundërshtare (përveç përsëritjeve klasike të sulmeve qorre mbi muret e institucioneve qendrore apo zjarrvënies së pemëve të “qeverisë” që nuk munguan edhe sonte)” – u shpreh ministri i Brendshëm.

“Orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga bllofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme. Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese” – shtoi ai.

Ministrit të Brendshëm iu përgjigj kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi që ka publikuar edhe disa pamje nga protesta.

“Ky është momenti ku Policia e Shtetit shtyn molotovët drejt turmës së qytetarëve të pa pajisur me mjete mbrojtëse dhe që plagosi rëndë një qytetar të moshuar pjesëmarrës në protestë. Ushtari i Ergys Agasit në krye të Ministrisë së Brendshme sajon foto me policë “të dëmtuar”, ndërkohë nuk ka informacion që janë plagosur qytetarë. E siguroj që si trashëgimtar i familjes së Enver Hoxhës, do të ketë fatin e të parëve të tij! Kriminel!” – shkroi Bardhi në rrjetet sociale. ©LAPSI.al

Advertisement