Connect with us

Politike

‘Gërdeci’ shkoi në GJKKO, Mediu: Tendecioze

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e konsideron të paligjshme dërgimin e dosjes së ‘Gërdecit; në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke e marrë atë të pandehur për shpërdorim detyre. Në një deklaratë për mediat, Mediu shkruan se dërgimi i dosjes në gjykatë është formalizimi i gjithë veprimeve në kundërshtim me ligjin të kryer nga SPAK në kuadër të hetimeve të rihapura në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit. Ai shton se ngjarja tragjike e Gërdecit, ashtu sikurse edhe vetë organi i prokurorisë ka pranuar, nuk ka si shkak urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes, por si pasojë e urdhërave të dala në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave. Sipas Mediut, ngarkimi me përgjegjësi penale i tij për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes, është në kundërshtim të plotë me ligjin.

Deklarata e Fatmir Mediut:

Dërgimi për gjykim në GJKKO i çështjes penale në ngarkimin tim, është formalizimi i gjithë veprimeve në kundërshtim me ligjin të kryer nga SPAK në kuadër të hetimeve të rihapura në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit. Rihapja e kësaj çështjeje dhe mandej vazhdimi i të ashtuquajturave hetime të kryera nga ana e SPAK, janë akte tërësisht në kundërshtim me ligjin procedural penal si dhe me faktet e provat. Ngjarja tragjike e Gërdecit, ashtu sikurse edhe vetë organi i prokurorisë ka pranuar, nuk ka si shkak urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes. Këto urdhëra kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave. Detyrimi për kryerjen e demontimit ka buruar nga këto akte dhe nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Demontimi i municioneve të tepërta ka qënë një proçes i cili ishte zhvilluar si përpara ngjarjes së Gërdecit, ashtu edhe më pas mbi të njëjtin kuadër ligjor dhe nënligjor. Ngarkimi me përgjegjësi penale i ministrit për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes së tij edhe si ministër, është në kundërshtim të plotë me ligjin.

Dje, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për dosjen “Gërdeci”, duke e dërguar në Gjykatë. 2 vite pas rihapjes së hetimeve, SPAK ka vendosur që të dërgojë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ish-ministrin e Mbrotjes gjatë kohës kur ndodhi tragjedia që mori 26 jetë njerëzish, të cilin e akuzohen se ka kryer veprat penale: “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Në lidhje me këtë pikë të dosjes, që do të gjykohet “më vete”, Fatmir Mediu akuzohet se ka kryer veprat penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.

Advertisement