Connect with us

Politike

“Gërdeci”/ Shtyhet sërish seanca, Fatmir Mediu kundërshton ekspertët ushtarakë

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu është shtyrë sërish. Seanca e radhës lidhur me dosjen ‘Gërdeci’, do të zhvillohet në datën 18 mars, ora 12:00. Shkak u bë kërkesa e prokurorëve Arben Kraja dhe Klodian Braho, të cilët duhej të merrnin pjesë në procese të tjera gjyqësore.

Ish-ministri i Mbrojtjes kundërshtoi gjetjet e ekspertëve ushtarakë në lidhje me masat që duhej të merreshin për demontimin e municioneve në Gërdec. Mediu dhe mbrojtja e tij kishin përgatitur një material prej 147 faqesh, përmes të cilit kundërshtonin gjetjet e ekspertëve.

Fatmir Mediu: Sot ishim në debatin rreth aktit të ekspertimit ushtarak dhe pasi filluam. Për arsye objektive, SPAK kërkoi shtyrjen e seancës se kishin çështje të tjera ligjore që u tejkaloi afati dhe u la në një seancë tjetër në 18. Unë do vazhdoj ta kundërshtoj aktin, akti s’ka të bëjë me detyrat ligjore të ministrit, detyrat funksionale, por në seancat më tej unë do eci përgjigje më përgjigje për të bërë komente e mia rreth çështjes.

Kujtojmë se më 9 tetor, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë. SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.

Advertisement