Kosova
Gërmime për të zhdukurit në Kozhle, Serbia “s`ka paqe” me Kurtin
Në kohën kur nga Prishtina zyrtare kërkohet ulje tonesh me Beogradin me qëllimin avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi fillimin e përgatitjeve për gërmime në Kozhle të Serbisë në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës.
Komentet e kreut të ekzekutivit erdhën gjatë një debate të kushtuar personave të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998/99 në Kosovë.
Duke folur për përgatitjet për gërmim në Kozhle, Kurti tha se shpreson se kjo nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për shmangie nga axhenda e gërmimeve në zonat e tjera të shënjuara nëpër Serbi.
“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të ish-liderit serb, Sllobodan Milloshevicit në Beograd”, shprehet Kurti.
Kurti i bëri edhe një herë thirrje Serbisë të hapë arkivat e shtetit, ndërsa kujtoi se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, “përgjegjëse për shumë masakra në vend, sidomos në Drenicë”.
Zotimet e shkëmbyera mes Kosovës dhe Serbisë në Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme përfshirë ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja, por deri tani, gjithçka ka mbetur vetëm në letër.