Connect with us

Kosova

Gërvalla godet Merkelin: Për Gjermaninë, gazi i Putinit është shndërruar në litiumin e Vuçiçit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar politikën e ndjekur nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, veçanërisht sa i përket përpjekjeve të Gjermanisë për të forcuar lidhjet ekonomike me Rusinë. Ajo ka përmendur në këtë kontekst litiumin në Serbi.

Në një intervistë për “Top Channel” të hënën, ajo ka vlerësuar se ashtu sikurse Merkeli më herët, autoritetet gjermane janë duke bërë përpjekje për të krijuar lidhje ekonomike me Serbinë, derisa ka përmenduar marrëveshjen për litiumin midis presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në korrik të vitit 2024.

“Gazi i Putinit sot është shndërruar në litiumin e Vuçiçit… Pra në të njëjtën linjë sikurse ka qenë Gjermania me kancelaren Merkel në raport me Putinin, të njëjtën linjë e shohim edhe tani në raport me Vuçiçin, pa e kushtëzuar me progres në demokraci dhe sundim te ligjit. Personalisht, mendoj që është një gabim fatal”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla ka thënë se i kupton përpjekjet e Bashkimit Evropian për të mbajtur Serbinë në Evropë për të mos e humbur në krahët e Rusisë. Por, kryediplomatja ka theksuar se diferenca mes politikës së Kosovës dhe asaj të BE-së është se Kosova është e interesuar më shumë se çdo shtet tjetër në demokratizimin e evropianizimin e Serbisë.

“Ku është diferenca kryesore mes asaj çfarë themi ne dhe asaj çfarë thotë BE-ja, sepse synimin e kemi të njëjtë. Askush më tepër nuk është e interesuar se sa Kosova në një Serbi demokratike, në një Serbi evropiane, sepse për aq kohë sa Serbia nuk është demokratike dhe evropiane, ajo paraqet një rrezik real për Kosovën”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, autoritetet kosovare kanë insistuar në mënyrë rutinore, dhe gjithashtu kanë bërë thirrje për ndryshimin e kursit të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë, ndërsa janë ankuar se pavarësisht sulmit të armatosur terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, nuk ka pasur asnjë pasojë për Serbinë pro-ruse.

Advertisement