Kosova
Gërvalla: Lajçaku e ka mbushur kupën duke favorizuar Serbinë
Shefja e diplomacisë kosovare ka konfirmuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së fajet i ka Emisari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili, sipas saj, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pozicionimin e tij në favor të Serbisë.
“Ai është treguar tërësisht i njëanshëm në procesin e dialogut e në të cilin BE-ja duhej të ishte e paanshme për të siguruar që të dyja palët të shohin se përfaqësimi i tyre merret në konsideratë. Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë por javën e kaluar është mbushur kupa, pra ka qenë tepër i hapur në favor të Beogradit” – deklaroi Gervalla
Për këtë është i bindur edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, ka flirtuar me teorinë e konspiracionit dhe komplotit. Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.