Connect with us

Shkrime

Gërvalla në pikun e skandaleve, është dhe s’është…ku është???

Albin Kurti e Vjosa Osmani ishin në Amerikë. Niveli i ulët i takimeve, sidomos nga kryeministri, dëshmoi se Kosova nuk eshte e deshiruar në arenën ndërkombëtare. Kurtit iu desh të kënaqet me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Granada, që më shumë flisnin për mungesën e tij në Amerikë, sesa për udhëtimin përtej Atlantikut. Osmani pati fotografi diçka më të mira se Kurti, por pa përmbajtje. Ata më shumë dukej se kishin udhëtuar privatisht sesa si përfaqësues shteti.

Vizitat e presidentes së Kosovës dhe kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po konsiderohen si vula të vërtetësisë në aludimet se Kosova aktualisht s’ka marrëdhënie të mira me aleatin e vet kryesor.

Në vend të përforcimit të lidhjeve diplomatike, vizita ka dëshmuar për një distanicim të dukshëm mes palëve, duke reflektuar tensionet e kohëve të fundit që kanë përfshirë çështje të rëndësishme si dialogu me Serbinë dhe politikat e brendshme të qeverisë.

Njohësit e çështjeve politike, deklarojnë se ka qenë e pritur një situatë e tillë ku drejtuesit e shtetit të mos priten në institucionet kryesore të politikës së jashtme amerikane, ashtu sic edhe ndodhi në këto vizitat e fundit të Kurtit e Osmanit.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli ka deklaruar se tashmë është bërë e ditur disa herë se politika e qeverisjes Kurti është duke dëmtuar cilësinë e raporteve bilaterale mes dy shteteve.

“Shumë prej zyrtarëve të SHBA e kanë bërë të ditur disa herë se Qeveria e Albin Kurtit, po e dëmton cilësinë e raporteve bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe se SHBA-të e kanë humbur edhe vullnetin për të lobuar për shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare” – Ka theksuar Kasolli për AP dhe sipas tij, “E gjithë kjo situate është krijuar për shkak të vendimeve të pakonsultuara”.

“Refuzimi i Prishtinës për të vepruar në koherencë me instruksionet e Uashingtonit e ka krijuar këtë realitet, sidomos sa i përket zvarritjes së zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja bazë e Brukselit dhe Aneksi i zbatimit në Oher e për shkak të disa aksioneve të Policisë së Kosovës, që Departamenti amerikan i Shtetit i ka definuar si të njëanshme, të pa koordinuara dhe që i kontribuojnë shtimit të tensioneve etnike”.

“Pra për këtë institucion, sot pushteti në Kosovë është po ashtu faktor që sillet në kundërshtim me parametrat e politikës së tyre për garantimin e stabilitetit rajonal”….

Për ish-ministrin për Integrime Evropiane nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Çollaku, aktualisht s’përbën as lajm konstatimi se politika e jashtme e Kosovës pothuajse nuk ekziston fare.

Ai u shpreh se vizitat llojit te Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit se fundmi ne SHBA tregojnë për problemet e shumta që ka vendi në arenën ndërkombëtare si pasojë e politikës jo të mirë.

“Në rastin më të mirë, ato jane vetëm një shpërfaqje e problemeve tona të shumta të politikës së brendshme në arenën ndërkombëtare. Ndërsa në shumicën e rasteve të tjera, sukses konsiderohet mungesa e skandaleve apo e situatave, fatkeqësisht, edhe qesharake. Pra, ka mungesë të një politike të jashtme të strukturuar, të koordinuar dhe me objektiva të qarta”, deklaroi Çollaku për Albanian Post.

Përveç kësaj, ai përmendi se, si asnjëherë më parë në historinë institucionale të Kosovës, ka mungesë koordinimi ndërinstitucional dhe bashkëveprimi në arritjen e objektivave strategjike shtetërore.

“Në mungesë të një qasje shtetërore të strukturuar, kemi veprime individuale për të promovuar më shumë vetveten apo një parti të caktuar politike. Kjo situatë është për keqardhje dhe dëmet e shkaktuara në katër vitet e fundit do të mund të sanohen me shumë vështirësi. Diplomacia e Kosovës, si asnjëherë më parë, po vuan për mungesë të lidershipit dhe ndërveprimit institucional”.

 

 

Advertisement