Kosova
Gërvalla pyet por nuk merr përgjigje/ Presim BE-në të deklarohet
Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, duke folur për pritmëritë e Kosovës, me rastin e konferencës së Evropës që u zhvillua të enjten, më 2 nëntor 2023 në Berlin, e pyetur nga DW, se çfarë duhet të bëjë Bashkimi Evropian për të zgjidhur ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë, tha se Kosova është duke pritur Bashkimin Europian të deklarohet për atë që ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
“Ende jemi në pritje dhe ende përgjigja që dëgjojmë është që ende nuk kemi përfunduar hetimet. Mendoj që ato do të duhet të ishin përfunduar kohë më parë, sepse dëshmitë janë shumë të qarta rreth asaj çfarë ka ndodhur gjatë sulmit terrorist. Akti i 24 shtatorit është kryer me metoda terroriste, por ka qenë një akt i hapur që ka tentuar të aneksojë, pra, të pushtojë territor të Kosovës dhe presim një gjuhë shumë të qartë nga Bashkimi Evropian, pasi besimi i Kosovës për të negociuar me Serbinë është dobësuar shumë” – theksoi Gërvalla.
Pyetjes se pasi Kosova ka bere disa here thirrje në adresë të BE-së, por ajo nuk e ka ndryshuar qëndrimin, çfarë prisni të ndodhë konkretisht, Ministrja e Jashtme u shpreh se ne “nuk mund t’i imponojmë qëndrimet tona. Ne mund të sensibilizojmë dhe të jemi të qartë, qoftë në paraqitjen e dëshmive rreth aktit të agresionit që është kryer, po ashtu që të shfrytëzojmë të gjitha kanalet diplomatike dhe publike për të sensibilizuar shtetet”
“Kjo konferencë është një mundësi e mire për Bashkimin Europian që të mos humbasë më shumë nga kredibiliteti i saj, i cili në Rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë i shpenzuar” – deklaroi Gervalla