Në një shkresë dërguar komisionerit Ilirjan Celibashi, PD shprehet se është kategorikisht kundër këtij propozimi.
“Ky aktivitet, i organizuar nga vetë qeveria aktuale në ditët më kritike të fushatës zgjedhore, përfshirë ditën e heshtjes dhe tani edhe ditën e zgjedhjeve, ka karakter të qartë propagandistik dhe shërben më shumë për qëllime elektorale dhe promovimi.
Të shpenzosh mbi 7 milionë euro nga fondet publike për një shfaqje të tillë, dhe më pas të kërkosh edhe shtyrje të orarit të votimit për t’ia përshtatur axhendës së kësaj ngjarjeje, është një abuzim i papraueshëm me procesin zgjedhor”, thuhet në letrën e PD dërguar KQZ.
Më tej PD, thotë se për dy ditë me radhë është ndaluar lëvizja e lirë në territorin e Tiranës, janë pamundësuar aktivitetet politike të opozitës dhe i është mohuar e drejta kushtetuese subjekteve politike për të komunikuar me qytetarët në ditët vendimtare të fushatës. Ky precedent shkel parimet themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.
“Qëndrimi ynë është i qartë: zgjedhjet nuk mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare. Është procesi zgjedhor që duhet të ketë përparësi absolute. Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore.
Për më tepër, një ndërhyrje e tillë e kërkuar nga PS vetëm pak orë para zgjedhjeve, cënon besueshmërinë e procesit dhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht një çështje orari – është një çështje parimi dhe standardi demokratik.
PD–ASHM kërkon me forcë që kërkesa e PS të mos merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej nga ana jonë si një ndërhyrje e papranueshme në barazinë e garës dhe një minim i rëndë i integritetit të zgjedhjeve jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun”, thuhet në reagimin e PD.