Kosova
Gjaku i Banjskës akuzon/ Kush po gënjen dhe pse
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një konferencë për shtyp, përsëriti se institucionet evropiane ende nuk e kanë dorëzuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës vitin e kaluar.
“Sa i përket raportit përfundimtar për sulmin në Banjskë, nuk ka asgjë të re. BE-ja ende pret raportin përfundimtar nga hetimi që është duke u zhvilluar nga autoritetet kosovare. Hetimi zyrtar është në duart e Kosovës. BE-ja pret bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë për të ndriçuar rastin” – tha Stano.
Por Qeveria e Kosovës pretendon se tashmë u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e banuar me shumicë serbe nën udhëheqjen e ish-kryetarit të Listës Serbe – forca më e madhe e serbëve të Kosovës – Millan Radoiçiç, porse asnjë lëvizje nuk është bërë në këtë drejtim.
Duke qenë se në këtë fazë, asnjë prej shteteve kryesore perëndimore nuk ka bërë publike rezultatet e hetimeve për sulmin paramilitar të 24 shtatorit, zyrtarë institucionalë dhe vëzhgues të huaj kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm.
Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, njoftoi ditë më parë se një vend i aleancës së shërbimeve inteligjence midis pesë shteteve anglishtfolëse (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Australia, Kanada dhe Zelenda e Re) aktualisht është duke kryer hetime për inkursionin serb.