Connect with us

Bota

Gjenden pengjet e vrarë, ushtria izraelite i zbulon në Gaza. Blinken insiston për armëpushim

Ushtria izraelite njoftoi nxjerrjen e trupave të pajetë të 6 pengjeve nga Gaza, vdekjet e pesë prej të cilëve ishin konfirmuar më herët, vetëm njëri, Avraham Munder, mendohej deri vonë se ishte ende gjallë.

Operacioni u krye nga trupat mbrojtëse të shtetit hebre, IDF në bashkëpunim me Agjencinë izraelite të Sigurisë. Forumi i familjarëve të pengjeve pohoi se marrja e trupave më në fund i kishte ofruar të afërmeve te tyre mundësinë për t`i qarë e për t`i ofruar prehjen e përhershme.

Në deklaratën e lëshuar prej tij, theksohej se kthimi i 109 personave që ende mbahen peng nga militantët e Hamasit mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje të negociuar, e i drejtonte qeverisë izraelite një apel për të bërë ç’është e mundur që të finalizohej ujdia e paraqitur aktualisht në tryezën e negociatave.

Operacioni u krye në kohën kur Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari po tentojnë të ndërmjetësojnë një armëpushim në mes të Izraelit dhe Hamasit, që mund të rezultojë me lirim të dhjetëra pengjeve të mbajtura prej grupimit të konsideruar terrorist nga Izraeli, SHBA-ja e BE-ja.

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken po qëndron në Lindjen e Mesme, me shpresën e vulosjes së marrëveshjes së armëpushimit. Ai njoftoi më herët pas takimit në Tel Aviv me Benjamin Netanyahun se kryeministri izraelit është pajtuar me propozimin amerikan mbi pushimzjarrin.

 

Advertisement