Connect with us

Bota

Gjendje e jashtëzakonshme në ishullin Chios në Greqi nga zjarret, tymi shkon 500 kilometra larg

Autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin e Chios deri më 22 korrik 2025, për shkak të zjarreve masive që po shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha me pyje dhe zona të banuara.

Vendimi u mor pas kërkesës së bashkisë lokale dhe konfirmohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, Nikolaos Papaevstathiou, siç raportojnë mediat greke.

Sipas meteorologëve, deri më tani janë djegur rreth 25 mijë hektarë tokë, ndërsa zjarret po përparojnë me shpejtësi për shkak të erërave të forta. Tymi është shpërndarë deri në 500 kilometra larg, duke arritur edhe në Kretë.

Aktualisht janë aktive pesë vatra zjarri në zona të ndryshme të ishullit. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar mbi 190 zjarrfikës, me forca që po mbërrijnë vazhdimisht nga Athina, Selaniku, Kavalla dhe Lesvos.

Po ashtu, janë në veprim 4 avionë dhe 13 helikopterë, ndërsa ndihmë po jep edhe ushtria greke.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e katër fshatrave në jugperëndim të ishullit, Vessa, Lithi, Elata dhe Armolia, ndërsa banorët e fshatit Leptopoda në veri janë paralajmëruar për një evakuim të mundshëm.

Situata konsiderohet tejet kritike dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare në mënyrë që të shmangin rrezikun për jetën e tyre.

Advertisement