Shkrime
Gjermania dhe Britania mbështesin politikën eskaluese të Kurtit
Në dallim nga mesazhet e qarta e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe shefit të diplomacisë europiane Zhozef Borelli se pala kosovare ka “merita” për mos-suksesin e raundit të fundit të dialogut mes Albin Kurtit e Aleksander Vucic, dhe zgjatjen e krizës në veri, Berlini dhe Londra zyrtare edhe kësaj here nuk folën rreth përgjegjësisë direkte të kryeministrit të Kosovës, duke shprehur vetëm zhgënjim pasi nuk u arrit marrëveshje.
Kjo edhe një herë hapi çështjen e mbështetjes që Kurti merr në vendimet e tij nga Gjermaniadhe Britania e Madhe, vazhdimin e eskalimit të situates, pavarësisht se kjo e çon atë në konfrontim gjithnjë e më të madh me SHBA dhe BE, nga ku po paralajmërohen masa edhe më të ashpra ndëshkuese për Kosovën
Që Kosova dhe Gjermania ushqejnë raporte të afërta politike, nuk është sekret, ndërsa Berlini shikohet si aleati më i madh i Prishtinës në kuadër të BE. Qëndrimi “i palëkundur” i Kurtit kur bëhet fjalë për krizën në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit dhe qëndrimi i tij gjithnjë e më i relaksuar kur bëhet fjalë për zemërimin e Amerikës, nga ku tani po merr paralajmërime serioze, shpesh i atribuohet mbrojtjes që merr prej Gjermanisë, por edhe prej Britanisë së Madhe.
Pikërisht ishte Gjermania ajo që kohët e fundit haptazi qëndroi në mbrojtje të Kosovës, kur presidenti francez Emanuel Makron kërcënoi me rishikimin e liberalizimit të vizave nëse Prishtina nuk ndërmerr hapa drejt de-eskalimit dhe nuk fillon zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara. Nga Berlini pa mëdyshje thonë se kjo për ta nuk është opsion dhe se për Kosovën vizat nuk do të anulohen apo pezullohen.
Ish-ambasadori serb në Berlin Millovan Bozhinoviç, thotë se po shihet gjithnjë e më shumë se po humbet uniteti i politikës ndaj Kosovës që ka mbizotëruar mes Gjermanisë, Britanisë dhe SHBA dhe se qasja amerikane po tregohet gjithnjë e më pragmatike. Veçanërisht qysh prej shpërthimit të krizës së fundit në veri
Ai këtu si shembull përmendi mesazhet që kanë ardhur nga zyrtarë amerikanë dhe gjermanë para raundit të fundit të dialogut në Bruksel. Thekson se ndërsa Eskobar nuk e ka lënë dilemën se ku qëndron “faji” për mungesën e de-eskalimit në veri, duke thënë se “Kurti konfirmoi se nuk ishte i përkushtuar ndaj normalizimit”, i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarazin, kishte retorikë tjetër.
Ai u shpreh se Kurti nuk pasoi BE dhe për këtë kanë pasuar masat ndaj Kosovës, por menjëherë ka shtuar se “nuk mund të thuhet se fajin e ka vetëm Qeveria e Kosovës apo se vetëm ajo nuk po bën mjaftueshëm për qetësimin e situatës”.
“Ky është ndryshimi. Gjermanët dhe kur kritikojnë Kurtin, ata përherë ndjejnë nevojën për t’a justifikuar disi. Afërsisht veprojnë dhe anglezët. Dhe teksa kemi raport të tillë nga Berlini dhe Londra ndaj Albin Kurtit, janë të pakta shanset se ai do të ndryshojë politikën dhe sjelljen” – deklaroi ish ambasadori Bozhinoviç, duke thaksuar se gjermanët duan të rifitojnë pozicionet e tyre që kishin më parë në Ballkan.